Katar 2022

Gjermania kundër FIFA-s për ‘One Love’: Një kërcënim i qartë!

Gazeta Si – Gjermanët kanë reaguar ashpër, pasi FIFA nuk ka lejuar që kapitenët e skuadrave të mbajnë në krah shiritin, ku shkruhet ‘One Love’, kundër diskriminimit.

“Është një kërcënim i qartë kundër nesh. Na kanë kërcënuar me dënime sportive. Dhe kjo tregon qartë për një fuqi të paprecedentë të FIFA-s”, – ka thënë Bernd Neuendorf, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, duke komentuar vendimin e FIFA-s. Shtatë kapitenëve të kombëtareve, mes tyre edhe ai i Gjermanisë, u është mohuar shiriti kundër diskriminimit.

“Nuk duam të luftojmë në këtë betejë, duke marrë me vete lojtarët tanë”, – ka shtuar drejtuesi i lartë i futbollit gjerman. I ashpër u tregua edhe drejtori i përgjithshëm, Oliver Bierhof, i cili vuri në dukje zemërimin e madh të kapitenit Manuel Nojer.

Bernd Neuendorf, presidenti i Federates Gjermane te Futbollit. Gazeta Si, 21 nentor 2022

“Është mjaft i zhgënjyer që nuk do ta mbajë atë shirit. Kjo nuk ka të bëjë fare me futbollin, ndaj dhe ka shumë zermërim. E shoh si një censurë. Shiriti mund të na hiqet, po do të shprehim gjithsesi gjithë vlerat tona”, – tha Bierhof.

Për çështjen në fjalë ka reguar edhe ‘Amnesty International’. “Kërcënimet e fundit për të ndëshkuar lojtarët e Botërorit të Katarit që japin mesazhe në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe barazisë janë shembulli i fundit i dështimit të FIFA-s në përmbushjen e vlerave dhe përgjegjësive të saj”.

Ky është qëndrimi i Steve Cockburn, shefi i drejtësisë ekonomike dhe sociale të ‘Amnesty International’. “Sporti nuk vjen nga hiçi dhe këto janë çështje, ku FIFA duhet të jetë në pararojë. Përshëndesim kurajën e skuadrave dhe lojtarëve që kanë folur për të drejtat e njeriut dhe shpresojmë të vazhdojnë ta bëjnë.

Tifozët, lojtarët dhe shoqatat e futbollit duan të garantojnë që futbolli të jetë një mjet për të promovuar të drejtat e njeriut dhe FIFA duhet të tregojë vëmendje ndaj këtyre apeleve. Nuk harrojmë punëtorët emigrantë që bënë të mundur turneun, duhen rimbursuar për abuzimet ndaj tyre”, – shtoi Cockburn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë