Bota

Gjermani / Siriani i vë zjarrin dy pallateve dhe sulmon me hanxhar banorët, 31 të plagosur

Gazeta Si - Policia gjermane ka arrestuar një shtetas sirian pas zjarrvënieve të qëllimshme në dy blloqe apartamentesh që plagosën 31 persona, përfshirë disa fëmijë.

Ngjarja ka ndodhur në Essen, në Gjermaninë perëndimore. Menjëherë pas shpërthimit të zjarreve, një furgon u përplas në dy dyqane aty pranë, duke shkaktuar dëme, por pa të lënduar.

Një 41-vjeçar sirian është arrestuar. Sipas policisë, nga hetimet e para rezultoi se ai ka vepruar pasi e kishte lënë gruaja e tij.

I dyshuari ishte larguar nga shtëpia i armatosur me "thika dhe përshpejtues zjarri" me qëllim që të sulmonte shtëpitë dhe dyqanet në Essen që besohej se ishin afër gruas së tij. Sipas gazetës “Bild”, i dyshuari ka kërcënuar edhe kalimtarët me hanxhar.

Zjarrfikësit e Essenit raportuan se të shtunën, rreth orës 17.10, një zjarr shpërtheu njëkohësisht në dy ndërtesa banimi në lagjet “Altenessen” dhe “Stoppenberg”, vetëm pak minuta larg njëra-tjetrës.

Një zëdhënës i zjarrfikësve foli për skena tejet dramatike. Fëmijët dhe gratë u përkulën nga dritaret e mbuluara me tym dhe bërtisnin. Rruga për t’u larguar ishte plotësisht e bllokuar.

Fqinjët ngritën shkallët në katet e poshtme për shpëtim të shpejtë. Fëmijët që ndodheshin në papafingo u shpëtuan nga shërbimet e urgjencës që vendosën një jastëk elastik. Zjarrfikësit më pas shpëtuan banorët e mbetur nga dritarja duke përdorur një shkallë lëvizëse. Zjarret janë shuar nga zjarrfikësit. Disa nga 31 të plagosurit pësuan asfiksi: 17 janë në gjendje të rëndë dhe dy fëmijë të vegjël janë në rrezik për jetën.

Pak minuta më vonë, një furgon hyri në dy dyqane pranë vendit të zjarrit. Shoferi doli para një dyqani fruta-perimesh dhe kërcënoi të pranishmit me thikë dhe hanxhar.

Në këtë rast nuk kishte të lënduar. Policia njoftoi se pranë vendit të krimit arrestoi 41-vjeçarin sirian, tashmë të njohur për policinë.

Një zëdhënës i policisë tha për agjencinë “Dpa” se siriani dyshohej se kishte ndezur zjarret dhe drejtuar kamionin e dërgesave kundër dyqaneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë