Art dhe Kulture

Gjergj Xhuvani – Engjëjt tani janë pranë

Engjëjt janë larg, titullohet një prej filmave të regjisorit Gjergj Xhuvani, i ndarë nga jeta mëngjesin e 14 gushtit në moshën 56 -vjeçare. Në Romë, ku dha frymën e fundit, njeriu i kinemasë, u ngjit drejt engjëjve për të lënë pas jo vetëm brengat dhe sëmundjen që e mundonte prej vitesh, por një copëz përjetësie të mbërthyer në shiritat filmikë që mbajnë gjurmën e tij.

Më shumë se tri dekada, kur Xhuvani nisi karrierën jo vetëm si regjisor por edhe skenarist dhe dhjetëra filma që kanë shënjuar kinematografinë shqiptare që thyente dogmat e propagandës komuniste. Atë propagandë që regjisori do ta rrëfente mjeshtërisht në gjuhë filmike në filmin “Parullat” , mbështetur në librin  “Parullat me gurë”, të  shkrimtarit Ylljet Aliçka.

Shkrimtari e kujton sesi gjetën gjuhën e përbashkët me regjisorin, i cili sipas tij i qëndroi besnik frymës realiste dhe neorealiste . Xhuvani ishte nga ata emra regjisorësh që hodhën themelet e kinemasë pas viteve ’90, në tranzicionin e madh shqiptar duke arritur ta nxjerrë  kinematografinë jashtë izolimit. I pari kineast që çoi një film  shqiptar në festivalin ndërkombëtar të Kanës e madje edhe një përpjekje drejt çmimeve “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë të huaj.

Me humorin e hollë, do të sillte edhe realitetin thuajse absurd të një ekipi çiklistësh, që vendosin të kthehen në atdhe, në kohën kur të gjithë e braktisnin të pashpresë e të dëshpëruar.  Filmi “Lindje-Perëndim-Lindje” ishte nga ata filma që sollën shijen e kinemasë europiane, duke e rrëfyer me humor dramën e madhe shqiptare, por pa rënë pre e pasqyrimit brutal të realitetit. Xhuvani ishte nga ata regjisorë që iu kthyen trajtimit të temave të Luftës së Dytë  Botërore, duke ofruar për të parën herë audiencës shqiptare një faqe tjetër të historisë së shkruar  nga regjimi komunist.

Filmi "Lindje-Perëndim-Lindje", me regji të Gjergj Xhuvanit

“I dashur armik” tek evokon Luftën e Dytë Botërore në ditët sot, mund të dukej si relikte. Do të ishte kështu, nëse bota nuk do të ishte sërish në luftë. Kur Gjergj Xhuvani ndodhej në sheshxhirim, i humbur mes punës do të pyeste: “Do të fillojë lufta në Irak? Thonë që është e pashmangshme.” E më pas do shtonte se “I dashur armik”, do të ishte edhe një lloj nostalgjie. “A nuk e fillojmë me luftë dhe më pas na merr malli e bëhemi nostalgjikë?!” Me sa duket, njerëzit i harxhuan rezervat e nostalgjisë, ndërgjegjes,  dashurisë për t’u rikredhur në jermin e luftës si armiq e të betuar, thoshte regjisori që së bashku me kolegë të brezit të tij si Besnik Bisha, Fatmir Koçi dhe Artan Minarolli, edhe ky i fundit i ndarë nga jeta në moshën 50 vjeçare, duke lënë papërfunduar projektin më të ri filmik “Delegacioni”, që e çoi në fund  kolegu i tij Bujar Alimani.

Sekuencë nga filmi "I dashur armik", i regjisorit Gjergj Xhuvani.

Zemra e Gjergj Xhuvanit pushoi së  rrahuri, ndërsa ai mbyllte detajet e fundit të filmit “Liqeni im”, në fazën e post-produksionit. Film që kishte marrë mbështetjen e “Euroimage” , fondi i mbështetjes kulturore të Këshillit të Europës. Një narrativë kinematografike që rrëfen historinë e  djaloshit Kristo, i cili jeton pranë liqenit të Prespës, i bashkëndarë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

 Kristo rritet duke adhuruar dy shitës droge, me të cilët punon, Ismailin dhe Paskon dhe përfundon i akuzuar si fajtor për vdekjen e këtij të fundit. Historia jehon tragjedinë në jetën e vetë regjisorit me të birin, të dënuar me 35 vite burg për vrasje të katërfishtë.  Konstandin Xhuvani me të marrë lajmin e hidhur kërkoi  leje të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

Regjisori Gjergj Xhuvani, i cilu u nda nga jeta më 14 gusht , në Romë

Por Xhuvani nuk e lë të pashpresë personazhin e filmit të tij të fundit. Atë që nuk mundi dot ta bënte në jetën e vërtetë, peshë që i rëndoi aq shumë shpirtërisht, e zgjidhi si kineasti ku Kristoja i jep lamtumirën të shkuarës së tij kriminale e me sytë nga liqeni shkruan esenë e tij prej dali shkolle se atyre që dinë të kërkojnë, liqeni mund t’ua japë.

Viteve të fundit, Xhuvani ishte mbyllur në liqenin e tij, kinemanë, duke shmangur daljet publike. Të paktat dalje nga familja Xhuvani ishin ato të Luizës, në skenën e teatrit si një Hamlet , Medea apo Lucrezia Borgia e ku kureshtja e medias bëhej e madhe për të ditur diç më shumë përtej rolit apo për ta krahasuar personazhin mbi skenë me atë të jetës së vërtetë.

Bashkëshortja, shoqe shkolle, arti dhe jete me të cilën do të realizonte filmin e tij të parë në vitin ’90  titulluar “Bardhezi” , por edhe suksesin ndërkombëtar “Parullat”,  ishte larg tij në orët e fundit.Për të mos ua trazuar qetësinë asaj dhe së bijës do t’u thoshte se do të qëndronte në Romë edhe pak ditë më shumë për filmin. Në të vërtetë ishte shtuar në spital, i shqetësuar për një gjëndër në këmbën e prerë më herët nga diabeti e që ia ngacmonte vendin ku vihej proteza.

https://www.youtube.com/watch?v=1BJ1vf6ZjbU
Fluturimi i fundit, kolona zanore e filmit "Lindje-Perëndim-Lindje", kënduar nga Elsa Lila dhe Enrico Rugeri

Lajmi nisi të përhapet në media, por jo pa u habitur dhe pa pyetur më tej nëse bëhej fjalë për një lajm të rremë a  një gabim. Trishtueshëm lajmi qe i vërtetë, i shkaktuar nga një goditje në zemër. “O Zot! U deshën minuta të tëra ta besoja se ishte i vërtetë lajmi i humbjes së Gjergjit. Sa shumë gjëra për të thënë e sa pak fjalë mblidhen bashkë në këtë moment...”, shkruante kryeministri Rama, për mikun e tij të vjetër.

Miq, kolegë, njerëz të artit ndanin copëza kujtimesh, emocionesh dhe dhimbje për kineastin që i mbylli sytë për t’i dhënë lamtumirën kësaj bote para kohe. Presidenti Meta në mesazhin e tij, e shihte Xhuvanin një kombinim të artistit punëtor të palodhur dhe me modesti fisnike. “Gjergj Xhuvani na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, që nderohet me respekt nga të gjithë e do të mbahet mend gjithmonë”.

Regjisori Gjergj Xhuvani në sheshxhirimin e filmit "Engjëjt janë larg"

Shkrimtari Ylljet Aliçka e shihte si një regjisor me intuitë letrare e në fakt ashtu e kishte nisur rrugën drejt artit, përmes letërsisë.  Me dëshirën për të ndjekur gjurmët e të atit, shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, do të kapërcente letërsinë për t’u hedhur tek kinematografia, por bashkëpunoi me Xhuvanin e madh për disa prej skenarëve të filmave të tij.

Filmi "Engjëjt janë larg", i parafundit i realizuar nga Xhuvani

Kishte provuar të rrinte edhe nga ana tjetër e kameras, si aktor në filmat  “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Studentët dhe pedagogët e Universitetit të Arteve në lamtumirën për Xhuvanin, e quajnë regjisor i dritës.  “Engjëjt janë larg”, një rrëfenjë për luftën e Kosovës dhe tragjeditë që  la pas ishte filmi i tij i parafundit dhe këtë vit priste t’i shfaqej publikut me më të riun, “Liqeni im”.

Familja e priste të ulej me avionin e mbrëmjes, në ditën kur u nda nga jeta. Por thonë se artisti nuk vdes. Jeton përmes artit. Do të kujtohet përmes filmave të tij, duke dhuruar emocione për breza. Kur njerëzit në kinema do të ndjekin historinë e djaloshit Kristo, do të ndiejnë praninë e regjisorit, për të na kujtuar se engjëjt nuk janë aq larg. Jeta e njeriut mund të jetë e shkurtër, por arti  mbetet i përjetshëm. Gjergj Xhuvani është nisur në fluturimin e tij të fundit, një kolonë zanore që shoqëron jetën e tij...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë