Nga Gazeta Si – Atleti kampion i republikës dhe rekordmen i saj në kërcim së gjati, Gjergj Ruli, sot-ish president i Federatës së Atletikës ka gjetur një tjetër pasion, të cilin e ka pasur si një plan B.
Ai është përjashtuar nga Federata Botërore e Atletikës për shkak të një parregullsie në një prej garave kombëtare.
Edhe pse ka kaluar të gjithë jetën e tij praktikisht në pistat e atletikës, atij nuk i lejohet më të qëndrojë në to dhe të stërvisë sportistin e tij Izmir Smajlaj. Megjithatë Gjergj Ruli në jetën e tij ka pasur gjithmonë një plan B në ditë të vështira dhe tashmë aktiviteti i tij është piktura. Kështu ndodhi edhe në vitin 1991 kur për 20 ditë qëndroi në koma pas një aksidenti që pësoi në Itali.
“Kur kam qenë fëmijë u mora me këto grupet e shkollave që merreshin me pirografi me kashtë, por në vitin 1991, pasi pata bërë një aksident automobilistik, iu riktheva. Pas aksidentit u mora goxha me pikturë sepse plotësoja edhe të gjithë kohën që qëndroja në shtëpi, duke qenë se nuk mundesha as të ecja dhe lëvizja vetëm me karrocë. Më pas u detyrova ta ndërpres se fillova punë dhe jeta në emigracion është e vështirë”, thotë Ruli.



Por pezullimi për të zyrtarisht erdhi në vitin 2023 dhe ndërkohë që përpiqet të vazhdojë betejën ligjore për të kërkuar të drejtën e tij, Gjergj Ruli i është rikthyer sërish pasionit për pikturën.
“Kam bërë një galeri në Muzeun Kombëtar përpara gati 10 vitesh me 64 piktura me formate goxha të mëdha. Pati sukses pasi edhe kam shitur. Kam bërë edhe dhurata dhe dua të them që kjo nuk ka qenë një mënyrë për të jetuar. Por kam qenë i kënaqur kur kam shitur diçka për të nxjerrë shpenzimet për bojë dhe telajo”, tregon Ruli.





Një nga punimet e tij më të veçanta është një pikturë e rrallë që Ruli e bëri me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Piktura gjigande është shitur pak kohë më parë për rreth 50.000 euro në Vienë të Austrisë, destinacioni i ardhshëm i ekspozitës së re që kërkon të bëjë ish-atleti dhe ish-presidenti i Federatës së Atletikës.
Ruli mban ende prej 42 vitesh rekordin e kërcimit së gjati për të rinj, ndërsa për të rritur, këtë rekord ia ka thyer sportisti i tij Izmir Smajlaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



