Art dhe Kulture

“Gjerdani i artë” nga Ansambli Popullor, koncert për këngëtaren Fitnete Rexha

“Gjerdani i artë” është një cikël koncertesh, që do t’u kushtohet artistëve më të mirë të muzikës popullore shqiptare.

Shfaqja e parë e ciklit “Gjerdani i artë” nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore i kushtohet Fitnete Rexhës, një prej mbretëreshave të këngës popullore. 

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se ky koncert është premiera e tretë e sezonit artistik të Ansamblit Popullor.

Institucioni vijon se nga studiot e ekipeve artistike tek atelietë e prodhimit, idetë artistike bashkohen për të prezantuar një prej figurave më të shndritshme të “Gjerdanit të artë” – Fitnete Rexha.

Ky koncert vjen së shpejti, dhe siç njofton institucioni jo vetëm online.

Sipas drejtorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi, “Gjerdani i Artë” është një përpjekje për të kujtuar, nderuar dhe mbajtur sa më të gjallë, figurat më të rëndësishme në krijimin e këtij institucioni vlerash, që ne trashëgojmë.

Drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi

“Koncerti është i bazuar në dy shtyllat kryesore: mbi repertorin e zonjës Fitnete Rexha dhe mbi jetën dhe aktivitetin e saj artistik në Ansamblin Popullor. Përvec trupës tonë të Ansamblit Popullor në koncert do të performojnë edhe artistë të mirënjohur të ftuar si dhe djemtë dhe vajzat e reja që po trajnohen pranë grupit të valles, të cilët do ta kenë edhe premierën e parë”, shprehet drejtori artistik.

Fitnete Rexha (Mjeshtre e Madhe) – 90 vjetori i lindjes

Në 8 qershor 1931 lindi Fitnete Rexha, një prej mbretëreshave të këngës popullore, e cilësuar si bilbili i Shqipërisë së Mesme dhe artistja që ka realizuar me mijëra koncerte, me një repertor prej 900 këngësh. Vështirë të gjesh qytet, fshat, shkollë, qendër, zona malore, fshatra të largët, ku kjo artiste të mos ketë debutuar e përçuar këngën e saj. Fitnete Rexha, si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ka marrë pjesë në koncerte në mbi 44 shtete, por dhe në festivale botërore si: Festivali Ndërkombëtar i Rinisë Moskë 1957, Festivali i Vjenës, i Helsinkit, Dizhon në Francë, Greqi, Turqi e shumë vende të Europës. Zëri i saj i mrekullueshëm, repertori i larmishëm, tingujt e melodisë popullore dhe hareja e këngës e bënë atë të dashur, të kërkuar e të duartrokitur në Shqipëri e në vendet ku ajo ka kënduar, duke patur një vlerësim maksimal nga personalitete e juri të ndryshme ndërkombëtare. Gjatë karrierës së saj artistike është vlerësuar me mjaft medalje, çmime e tituj nderi si: “Fisnikëria e Tiranës” (2003) nga Shoqata “Tirana”; “Mirënjohje dhe nderim për promovim të vlerave artistike kombëtare” (2003) nga AKKVP; “Mjeshtre e Madhe e Punës” (2007) nga Presidenti i Republikës, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë