Në pritje të Çmimeve të Akademisë,po ju sjellim disa kuriozitete dhe historiku i këtij çmimi, një ndër çmimet më të lakmuara në botë. Ceremonia e këtij viti do të mbahet më 27 mars.
Ceremonia
Ceremonia e parë e Çmimeve të Akademisë u mbajt më 16 maj 1929, por nuk ishte një event publik. Ishte një darkë private ku morën pjesë 270 persona. Atë natë çmimi Oscar për filmin më të mirë iu dha një filmi të publikuar dy vjet më parë: “Wings”, një film për Luftën e Dytë Botërore. Transmetimi i parë televiziv i njohur si Nata e Oskarit u zhvillua në vitin 1953. Sot ceremonia mund të shihet në mbi 200 vende të botës.
Statuja
Statuja e famshme që u jepet fituesve të kategorive të ndryshme quhet “Academy Award of Merit”. Ai është i veshur me ar 24 karatësh, është i gjatë 35 centimetra dhe ka një vlerë tregtare prej 295 dollarë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1942 deri në vitin 1945, statuja ishte bërë me allçi nga frika se mos dikush do ta vidhte apo ta shiste, siç do të kishte ndodhur shumë herë në vitet në vijim. Kjo është arsyeja pse Akademia ka ndaluar rishitjen e statujave. Ekziston një klauzolë sipas së cilës, përpara se t’i nxjerrin në ankand, organizatës duhet t’i ofrohet mundësia për t’i blerë ato për shumën simbolike prej një dollari.
Oscar: filma dhe aktorë rekord
Filmat që kanë fituar më shumë çmime Oscar janë “Titanic”, “Ben Hur” dhe “The Lord of the Rings: The Return of the King”. Të tri filmat kanë fituar 11 çmime. Për më tepër, “The Lord of the Rings: The Return of the King” ishte i vetmi që fitoi të gjitha çmimet për të cilat ishte nominuar. Personi që ka fituar ndonjëherë më shumë Oscar në të gjithë karrierën e tij ka qenë “Walt Disney”, nominuar 64 herë, fituar 26 herë.

Oscar: rekordet te aktoret femra
Gratë kanë disa rekorde interesante në meritë të tyre. Për shembull, aktorja më e vlerësuar deri më sot është Katharine Hepburn, me katër Oscar. Menjëherë pas Ingrid Bergman dhe Meryl Streep: E nominuar 21 herë, ajo fitoi tri statuja për “The Iron Lady” (2011), “Kramer vs. Kramer” (1980) dhe “Sophie’s Choice” (1983). Liza Minelli, fituese e çmimit për aktoren më të mirë për “Cabaret” (1972) është e vetmja fituese, prindërit e së cilës nga ana e saj kanë fituar Oscar.

Nëna e saj, Judy Garland, mori një çmim nderi në vitin 1939, ndërsa babai i saj, Vincente Minelli, u vlerësua për regjisorin më të mirë për “Gigi” (1958). Ndër rekordet negative janë nominimet shumë të pakta për regjisore femra. Në historinë e gjatë të Akademisë ka pasur vetëm pesë: Greta Gerwig, Lina Wertmuller, Jane Campion (fitoi çmimin për skenarin më të mirë origjinal me “The Piano”), Sofia Coppola (fituese e çmimit për skenarin më të mirë origjinal me “Lost in Translation”), Kathryn Bigelow, kjo e fundit është e vetmja që ka fituar çmimin e regjisores më të mirë me “The Hurt Locker” në vitin 2009.
Oscar: fituesit më të rinj
Aktorja më e re që fitoi një Oskar ishte Tatum O’Neal, e cila fitoi çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor për “Paper Moon” (1973) në moshën 10-vjeçare.

Në fakt, para tij ishin dy raste që e shtynë Akademinë të vendoste një çmim të veçantë për aktorët e vegjël: Çmimin për të Mitur. Siç shpjegon “Hollywood Reporter”, ideja u ndez nga nominimi i 9-vjeçarit Jackie Cooper, i cili në vitin 1931 konkurronte për të fituar çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij në “Skippy”, përshtatja e parë në Hollywood e një komikeje.
Ideja e një fëmije që konkurronte me të rriturit u pa si e turpshme nga Akademia: asnjë i rritur nuk donte të humbiste nga një fëmijë ose ta “rrihte” atë. Cooper nuk e fitoi çmimin, por ai i dha Akademisë frymëzimin për të krijuar Çmimin e të Miturve. E para që e fitoi tre vjet më vonë ishte Shirley Temple: ajo ishte 6 vjeç dhe kishte luajtur tashmë në 10 filma. Çmimi jetoi deri në vitin 1962, kur 16-vjeçarja Patty Duke, e cila konkurronte për aktoren më të mirë në rolin kryesor për “The Miracle Worker”, fitoi. Ngjarja nuk dukej më aq e turpshme dhe e bindi Akademinë të braktiste çmimin special.
Aktorët që kanë braktisur çmimet Oscar
Mes aktorëve që kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar ka emra të shkëlqyer. Për shembull, Marlon Brando, i nominuar për çmimin e aktorit më të mirë të vitit 1973 për “The Godfather”, dërgoi një amerikan vendës në vend të tij. Roman Polanski, i nominuar dhe i vlerësuar për regjisorin më të mirë për “The Pianist” u largua nga ceremonia në 2003 për shkak të problemeve të tij ligjore në SHBA (ai u largua nga vendi pas akuzave për sulm seksual): në vend të tij e mori çmimin Harrison Ford. Michael Caine nuk e mori çmimin e tij të parë për rolin dytësor në “Hannah and Her Sisters” sepse ishte i zënë me xhirimet e vazhdimit të “Lo Squalo”.
Por në vitin 2000 nuk u zu i papërgatitur dhe “liroi axhendën” për t’u ngjitur në skenë, për të marrë çmimin për aktorin më të mirë në “The Cider House Rules”. Elizabeth Taylor u largua nga ceremonia e vitit 1966 në shenjë solidariteti me bashkëshortin “jo-fitues të shumëfishtë” Richard Burton. Pas gjashtë nominimeve dhe dy çmimeve Oscar nderi, Paul Newman fitoi çmimin për aktorin më të mirë për “The Color of Money” në 1987. Ai braktisi ceremoninë duke thënë: “Është si të ndjekësh një grua të bukur për 80 vjet. Përfundimisht ajo dorëzohet dhe ti thua “Më vjen tmerrësisht keq, jam i lodhur”.
Oscari që ka fituar Oscar
Tingëllon si lojë fjalësh, por me të vërtetë ka ndodhur. Siç raporton ‘Express’, i vetmi person që fitoi një çmim Academy Award dhe që ka të njëjtën emër si çmimi ishte kompozitori Oscar Hammerstein II. Dy herë iu dha çmimi Kënga më e mirë origjinale.

Oscari dhe Nobeli
Fituesit e vetëm që mund të mburren me një çmim Oscar dhe një çmim Nobel janë George Bernard Shaw dhe Bob Dylan. Shaw u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1925, ndërsa në vitin 1939 u nderua me Oscar për skenarin më të mirë joorigjinal për filmin “Pygmalion”.

Bob Dylan fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2016. Reagimi i tij ishte një nga më të çuditshmit: ai dërgoi Patti Smithin që të merrte çmimin në vend të tij. Në vitin 2017, ndërsa ishte në Stokholm për një koncert, ai mori pjesë në një ceremoni të vogël për marrjen “personalisht” të çmimit. Dylan kishte fituar Oscar në vitin 2001 me këngën “Things Have Changed”, e futur në kolonën zanore të filmit “Wonder Boys”. Në atë kohë, ai mori pjesë në ceremoni me videomesazh.
Rregullat e votës
Sipas rregullave të Akademisë, ai që ka më shumë vota fiton çmimin në kategorinë e tij. Nëse më shumë ose dy kandidatë arrijnë të njëjtin numër votash, ata të gjithë bëhen fitues. Që do të thotë se për një çmim, nëse do të kishte një numër të barabartë preferencash, mund të kishe deri në pesë çmime.
Oscar pa nominim
Në vitin 1935, Hal Mohr u bë regjisori i parë që fitoi një Oskar pa qenë në garë: ishte rasti i parë i “votimit me shkrim”, një praktikë që Akademia e hoqi vitin e ardhshëm. Por Mohr tregoi se nuk kishte nevojë për ndërhyrje: ai fitoi një Oscar të dytë për fotografinë “Phantom of the Opera” (1943).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




