Media Galeri

“Gjeneral Gramafoni” shfaqet tashmë i restauruar. Filmi edhe në YouTube

Filmi “Gjeneral Gramafoni”, tashmë i restuaruar plotësisht, shfaqet këtë të enjte në Tiranë. Ai tashmë është hedhur edhe në platformën YouTube, për të gjithë të apasionuarit e kinemasë dhe jo vetëm.

Filmi me regji të Viktor Gjikës, skenar të Vath Koreshit dhe muzikë të Aleksandër Peçit, vjen për publikun i restauruar nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti. Filmi legjendar i vitit 1978 iu nënshtrua digjitalizimit duke bërë që kjo dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike të jetë aty për të gjithë brezat.

“Gjeneral Gramafoni” është restauruar në qendrën “Dabimus” srl në Bari. Restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë.

Sëbashku me premierën e filmit promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “Film pas filmi – unë e bija e…”, si dhe një performancë e kabasë në klarinetë, interpretuar nga trioja virtuoze: Sokol Bimi: klarinetë, Fatmir Lela: llahutë; Ronaldo Deda: violinë.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i Dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes” etj.

Menjëherë pas realizimit të tij, “Gjeneral gramafoni” pati një jehonë të gjerë si brenda dhe jashtë vendit. Pas shfaqjeve në Shqipëri, filmi do të merrte pjesë në Festivalin e Filmit Ballkanik (1979) në Stamboll të Turqisë ku do të merrte Diplomë Nderi duke u vlerësuar si film shumë i arrirë edhe nga kritikët që ndiqnin festivalin.

Një vlerësim ndërkombëtar pati edhe për artistin e madh Bujar Lako i cili punoi dhe jetoi 24 orë në 24 me virtuozin Laver Bariu përgjatë gjithë fazës parapërgatitore të filmit për të interpretuar mjeshtërisht kabatë e mrekullueshme me klarinetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë