Menaxhim

Gjendja e rënduar financiare e Ujësjellësve, vetëm 3 nga 58 i mbulojnë kostot. Cilat janë bashkitë e rrezikuara

Nga Gazeta 'SI'- 3 javë më parë, Enti Rregullator i Ujit, ERRU, tregoi me shifra se sa e rënduar është gjendja financiare e shoqërive të ujësjellësve në Shqipëri.

Sipas raportit, nga 58 shoqëri, vetëm 3 mund të mbulonin kostot e tyre, ajo e Tiranës, Dibrës dhe Librazhdit. Vetëm 13 mund të mbulonin kostot operative (paga) dhe të tjerat asnjërën nga këto. Për vitin 2022, shoqëritë e UK-ve arkëtuan 10 mld lekë.

Ujësjellësi-Kanalizime Durrës, që ka shpallur tashmë falimentimin ishte ndër njësitë që kishte vështirësi të mbulonte kostot e veta. Norma sipas ERRU është vetëm 45% nga 100%. Durrësi është dhe pika me humbjen më të madhe të ujit pa pagesë, 76.7%.

Në listë, ka edhe disa njësi të tjera UK që nuk mbulojnë dot kostot, me një normë më të ulët se ajo e Durrësit, duke rrezikuar jetëgjatësinë e tyre.

Më të ulëtën e ka Kurbini, që mbulon vetëm 25.4% të kostove, ndjekur nga Kamza me 33 dhe Shkodra me 39.1%. Shkodra, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së saj duket më e rrezikuara.

Vitin e shkuar, të gjitha shoqëritë morën 360 mln lekë subvencione nga qeveria. Raportohet se nga vlera totale e subvencioneve, 38.86% janë shpërndarë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, 26.1% janë shpërndarë për kosto të energjisë elektrike, 13,56% janë për tatime e taksa të papaguara, 4.81% për paga të papaguara.

 Për vitin 2022, nëpërmjet AKUM-it, janë alokuar fonde për investime në sektor nga buxheti i shtetit në vlerën e rreth 8,5 miliard lekë (rreth 70.7 milion euro) dhe janë disbursuar 70.2 milion euro ose rreth 99.3% e fondit të akorduar për investime. Pjesa më e madhe e financimit në vitin 2022 ka qenë për objektet në vazhdim dhe vetëm 280.8 milion lekë (rreth 2.3 milion euro) janë financuar për objekte të reja. Gjithashtu në sektor janë financuar edhe 1,68 miliard lekë (rreth 14 milion euro) financime.

I njëjti raport thekson se janë kostot e energjisë dhe punonjësit e tepërt në këto shoqëri që rëndojnë më së shumti financat e tyre.

Më herët gjatë vitit, Kuvendi i Shqipërisë, i kërkoi ERRU-së të marrë masa për reduktimin e numrit të punonjësve në shoqëritë rajonale. Në dy vite numri është ulur vetëm me 100, duke qëndruar në rreth 8.000 të punësuar në total.

Shoqëritë rajonale UK tashmë menaxhohen nga vetë bashkitë ndonëse reforma e bashkimit nuk ka përfunduar ende. Qeveria ndërmori një reformë të tillë për të ulur humbjet dhe kostot e këtyre shoqërive problematike, që deri më tani nuk ka dhënë asnjë efekt. Borxhi total i UK-ve shkon në 16 mld euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë