Nga Gazeta Si- Është gjendur mekanizmi mbi 120 vjeçar i orës së vjetër të Shkodrës. Për habi të të gjithëve, ai është gjetur në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallatin 6 katësh në qendër të qytetit, ku ndodhet dhe sahati i Shkodrës.
Mekanizmi ishte ruajtur nga familja shkodrane, Kurraj për vite pas rrëzimit të komunizmit. Para ardhjes së demokracisë, Sahati i Shkodrës i vendosur mbi pallatin 6 katësh jo vetëm funksiononte por ishte kthyer dhe në pikë referimi për shkodranët por prej vitesh nuk funksiononte.
“Alamet Shkodre mos me pas një sahat!” thotë me keqardhje Suzana Kurraj.
Petrit Bilali, restaurator thotë se është një ndër objektet e rralla në Shqipëri.
“Shumë nga këto mekanizma janë zhdukur e mendohet se është një ndër më të vjetrit. Duhet të jetë një nga mekanizmat e orëve që kanë qenë në Shkodër, si sahati te kulla e kalasë apo sahati i qarkut”, thotë Bilali.
Përmes një postimi në Facebook kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci falënderon familjen që e ka ruajtur mekanizmin.
“Mekanizmi mbi 120 vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M'u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve”, thotë Beci.
Falë orëndreqësit Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali u mësua historiku i këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe mund të realizohej pastrimi e mirëmbajtja e mekanizmit të tij.
“Qyteti i Shkodrës ka pasur shumë nga këto orë muri. Shumë më pyesin a po bëhet gjë për të rregulluar orën e murit. Do duhet pak kohë por rëndësi ka që të punojë me saktësi siç ka punuar më përpara. Them se do të dalë e bukur”, tregon orëndreqësi Besnik Sahatçia.
Mekanizmi do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit dhe po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.