Gazeta Si – Indrit Ndoj, 34-vjeç, është gjetur i pajetë nga familjarët e tij në një kanal në fshatin Hasan mëngjesin e së premtes në Fushë-Krujë.
Policia bën të ditur se Ndoj është gjetur pa shenja jete rreth orës 08:20 në lagjen “Bakishe Visha”, në një rrugë dytësore.
Nga këqyrja paraprake, është konstatuar se 34-vjeçari ka një dëmtim në këmbë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.
Burime paraprake shprehen se i riu është qëlluar nga një distancë e afërt, ku plumbi i ka prekur arterien femorale, duke shkaktuar hemorragji të menjëhershme dhe duke i marrë kështu edhe jetën.

Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, gjë që i bën ekspertët të mendojnë se autori, pasi ka qëlluar, mund ta ketë marrë me vete edhe gëzhojën.
Sipas familjarëve, të cilët pranuan të prononcoheshin në anonimitet, Indrit Ndoj lëvizte gjithnjë me biçikletë, duke dyshuar se ai mund të jetë vrarë diku tjetër dhe është hedhur aty pasi biçikleta nuk është në vendngjarje.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur nga ndonjë konflikt i çastit, pasi i riu nuk raportohet të ketë konflikte apo hasmëri. E kaluara e tij lidhet me një arresim për trafik të emigrantëve të paligjshëm në shtator të vitit 2021, ku aktualisht po vuante masën “arrest shtëpie”.
Ndoj bashkë me një tjetër të ri, Enea Babasi janë kapur duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Polica ka marrë në pyetje banorë dhe të afërm të të riut që banojnë në një perimetër 5 km nga vendi i banimit të Ndojit, për të zbuluar më shumë detaje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




