Gazeta Si – Një arsenal armësh zjarri është zbuluar në garazhin e një pallati në Liqenin e Thatë në Tiranë këtë të martë.
Policia thotë se është vënë në pranga 27-vjeçari Eno Papa (Beqiri), ku banesën që kishte marrë me qira e kishte kthyer në një depo të vërtetë.
U gjetën dhe u sekuestruan 2 snajpera, 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sasi e konsiderueshme krehra armësh, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizionit (snajper), tre kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave.






Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira të 27-vjeçarit Eno Papa (Beqiri) në rrugën “Peti”, u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu një automjet që përdoren nga ai, 3 aparate celulare, 2 laptopë dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar.
Zbulimi i kësaj baze nga ana e policisë u mundësua falë një informacioni të siguruar në rrugë operative se 27-vjeçari në garazhin e një pallati, në rrugën “Peti” në afërsi të Liqenit të Thatë, mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme.
Pak ditë më parë në Tiranë u zbulua një tjetër arsenal në një banesë private, që shpërbenin për të modifikuar armët e zjarrit, të cilat dyshohet se ishin porositur nga krimi i organizuar.
Ndërsa në pranga përfunduan 2 persona, mes tyre dhe pronari banesës ku ishte ngritur punishtja e modifikimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




