Ka ndodhur

Gjenden dy ‘Range Rover’ të vjedhur në Fushë Krujë e Thumanë, dyshohet se do përdoreshin nga grupe kriminale

Gazeta Si – Dy automjete luksoze të cilat ishin denoncuar të vjedhura nga pronarët e tyre në Tiranë, janë gjetur ditët e fundit të parkuara në rrugë, një në Fushë Krujë dhe një tjetër në Thumanë.

Sipas burimeve, para 3 ditësh janë vjedhur dy makina tip “Range Rover”, në zona të ndryshme.

Edhe pse policia i ka zbuluar, dyshohet se këto mjete do përdoreshin nga grupe kriminale për krime të rënda.

Por shqetësim mbetet fakti se nuk dihet asgjë për autorët, pasi nuk janë identifikuar ende. Për këtë problematikë, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, mbrëmjen e së mërkurës mblodhi në një takim urgjent vartësit e tij, si dhe drejtuesit e komisariateve në kryeqytet.

Dyshohet se autorët janë profesionistë dhe kanë kontakte me bandat kriminale me bazë në zonën Fushë Krujë dhe Kurbin.

Sipas burimeve, për vjedhjen e këtyre makinave, autorët përdornin pajisje të reja të teknologjisë që arrijnë nëpërmjet valëve të lidhen me çelësin e pronarit edhe pa qenë në afërsi të makinës.

Nëpërmjet valëve arrijnë të hapin dyert e makinave dhe më pas bëjnë ndezjen me butonin start.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë