Ngjarje

Gjen dyqanin bosh, hiqet si pronar dhe i shet birrë një zonje. Si u kap hajduti 26 vjeçar

Për të ndryshuar rutinën e stërzgjatur në dyqanin e ushqimoreve, K.Lilaj lëvizi nga banaku pak minuta dhe u zhvendos për muhabet me shitësin fqinj që shet fruta-perime. Derën e dyqanit e la hapur dhe herë pas here i hidhte sytë andej. Klientët mungonin, pasi ishte mesditë. Por, nga dyqani i tij pas pak minutash doli një grua me birrë në dorë. Ajo e hapi pijen dhe filloi ta konsumonte. K.Lilaj e thërriti gruan dhe e pyeti “ku e gjete birrën”. Gruaja u përgjigj “e bleva”. Shitësi duke u afruar në këmbë e pyet “kush ta shiti moj, kur shitësi jam unë”. Gruaja e habitur i tregoi kanaçen dhe më pas ia ktheu “ma shiti një djalë, më dha edhe kusurin madje”. Duke treguar këto detaje gruaja ka futur duart në xhepa dhe ka nxjerrë prej andej kusurin.

K.Lilaj tregon në dosjen që gazeta “Si” disponon se ai menjëherë u fut në dyqan për të parë se kush po “shiste”. “Për tre sekonda hyra brenda. Te banaku ku qëndroj unë, ishte një djalë. Lekët e birrës gjendeshin mbi banak. Në dorë kishte lekë të tjera. Ndërkohë ai po kontrollonte nëpër sirtarë”. Burri tregon se e pyeti të panjohurin se çfarë po bënte aty. I hutuar djaloshi, ka ngrirë përpara tij. Lekët që kishte në duar i la mbi banak dhe pa thënë asnjë fjalë u largua nga dyqani.

Në dosje tregohet se si K.Lilaj e ndoqi me sy të panjohurin, që pasi doli prej aty u drejtua për në kafe. Akoma më i habitur Lilaj ka njoftuar të birin në telefon. Kur D. Lilaj mbërriti, ai u çapit drejt kafenesë, tregon policia referuar dëshmive të dy shtetasve, marketi i të cilëve ndodhet në rrugën Teodor Keko. “Policët e gjetën të riun duke pirë kafe. Ai është i moshës 27-28 vjeç, i gjatë, i gjatë rreth 160-166 cm. Ai fliste me dialekt nga jugu. Kur e pyeta si quhej ai m’u përgjigj – jam Klaudio”, shkruan në procesverbal oficeri i policisë që kujton më tej detaje të kapjes së hajdutit.

Rezulton më tej se një nga emrat e të dyshuarit ishte pikërisht Klaudio, ndërsa emri më i fundit i ndryshuar ishte Artur M. Ai rrëfen se kishte lindur në Sarandë, por ishte zhvendosur në kryeqytet, pasi prindërit e braktisën. Çdo veprim e lidh me mbijetesën, por mohoi që të kishte vjedhur edhe herë tjetër. Unë hyra në dyqan për të blerë cigare. Porosita kafe dhe pashë që nuk kisha duhan. Sa të bënin kafen u hodha një vrap në dyqan. Por aty nuk kishte njeri. Erdhi një grua dhe më tha “o cuni sa bën kjo kanocja me birrë. Më zgjati pesë mijë lekë (të vjetra) dhe i ktheva fiks kusurin. Pastaj s’di se si më shkrepi mendova të marr ndonjë lekë. Jam i penduar”, deklaroi 26-vjecari.

Pasi çështja u dërgua në gjykatë, implikimi i të riut u kthye në objekt gjykimi. Rezulton më tej në dosjen që gazeta “Si” disponon se ai u shpall i pafajshëm për veprën e vjedhjes për të cilën prokuroria kërkoi dënimin e tij. Por, Artur M. ose Klaudio u shpall fajtor për vjedhje të mbetur në tentativë. Gjyqtari çmoi se 26-vjeçari kishte tentuar t’i përvetësonte lekët e xhiros ditore, ndonëse nuk kishte pasur një qëllim të mëparshëm kriminal. Por fakti që djaloshi i la ato mbi banak dhe u largua për të vazhduar konsumin e kafesë që kishte porositur, tregojnë se ai nuk është përfshirë herë tjetër në ngjarje dhe nuk kishte eksperiencë se si fshihen gjurmët.

Me këtë argument, por dhe rrethanën që vepra e vjedhjes ka rrezik shoqëror, gjykata e dënoi Artur M. me 7 muaj e 10 ditë burgim. I riu e ndoqi procesin nën përfaqësimin e një avokateje të caktuar nga shteti, ndërsa ai ishte i pranishëm vetëm në një seancë ku deklaroi “më vjen keq, jam i penduar”.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë