Moti

Gjatë javës temperaturat shkojnë deri në 43 gradë, e marta dhe e mërkura ditët më të nxehta

Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë deri pas mesdite kur priten kalime vranësirash nëpër territor, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore. Megjithatë nuk priten reshje në territor. Parashikohet që pasditja dhe nata të vijojnë nën dominimin e kthjellimeve, vranësirave dhe lagështirës së lartë në ajër.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 19°C vlera minimale deri në 40 – 41°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi Jugor dhe Jugperëndimor. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 3 ballë.

Shqipëria do të mbetet nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan përgjatë gjithë javës. Paraditet do të jenë me diell, megjithatë, parashikohet që pjesa e dytë e ditës të ketë vranësira të lehta dhe kalimtare përgjatë gjithë javës. Dhe pse vranësirat do të jenë prezente, sidomos në zonat lindore, nuk parashikohet që të ketë reshje. Sa i përket vlerave termike, nga e hëna deri të mërkurën presim vlera ekstreme mbi 40 gradë ndërsa nga e enjtja dhe e premtja, termometri mbetet sërish me temperatura mjaft të larta, por deri në 40 gradë. 

Shkodra, qarku i Beratit dhe Elbasanit presin temperaturat më të larta 41-42 gradë. Ndërkohë Fieri, Lushnja, Tirana, Përmeti, Tepelena do të shënojë temperatura 40 gradë. E marta dhe e mërkura do të jenë dy ditët më të nxehta, ku presim vlera ekstreme afër 43 gradë në 3 qarqe, Shkodra, Elbasani dhe Berati. Parashikohen temperatura mjaft të larta në zona si Kukësi dhe Hasi me temperatura 39-40 gradë. Më freskët parashikohen zonat juglindore. E enjtja dhe e premtja do të kemi rënie me dy gradë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë