Nga Gazeta ‘SI’ – Njësoj si shifrat e blegtorisë, as ato të peshkimit në Shqipëri gjatë 2022-shit nuk ishin pozitive, raporton Instat. Zënia e peshkut për të gjitha kategoritë ra me 4% nga 2021-shi, duke rezultuar në 17.8 mijë tonë nga 18.5 që ishte.
Rënia më e madhe e sasisë së kapur sipas specieve është ajo e açugeve, merlucit dhe karkalecit të thellësisë, me 100-200 tonë më pak nga 2021-shi në 2022-shin. Peshkimi i tonit ka pësuar rritje të lehtë. Këto janë specie ku Shqipëria varet shumë edhe për eksport në vendet e rajonit dhe ato skandinave.
Një fokus të veçantë po i kushtohet prodhimit të rasateve si: Trofta Ylber, Koran dhe Krap si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit. Në vitin 2022, u prodhuan dhe u hodhën në liqenin e Ohrit 9 milion rasate të Troftës Ylber, 1.60 milion rasate të Koranit dhe 1.60 milion rasate Krap.
Në vitin 2022, janë 784 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Gjatë vitit 2022 janë regjistruar 32 subjekte më shumë se një vit më parë.
Në vitin 2022, porti me numrin më të madh të anijeve të licensuara është porti i Durrësit me 37% të flotës së përgjithshme, porti i Vlorës ka 30.5% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 15%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.