Politike

Nga Meloni, Zelenski deri te Keir Starmer, urime nga liderët ndërkombëtarë për fitoren e Ramës

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka marrë disa mesazhe urimi nga homologët e tij europianë për fitoren e të majtës shqiptare, duke shkuar drejt mandatit t 4-t qeverisës.

E para ishte kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila në rrjetet sociale shkroi: “Dëshiroj t’i përcjell urimet e mia më të sinqerta Kryeministrit @ediramaal për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy vendet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, fryt i një dialogu konstruktiv dhe i një vullneti të përbashkët për të përballuar sfidat globale me zgjidhje inovative. Do të vazhdojmë të punojmë për të konsoliduar më tej lidhjet mes dy qeverive tona dhe për të arritur objektivat e përbashkëta, përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë”, – lexohet në mesazhin e Melonit.

Më pas, ishte presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ai që ka uruar Ramën për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Zelensky shkruan se fitorja e Ramës në zgjedhje ishte bindëse. Ai po ashtu ka vlerësuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për luftën në Ukrainë dhe pret forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Urime për Edi Ramën dhe Partisë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj suksese në shërbimin ndaj popullit shqiptar. Ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet nëpërmjet një armëpushimi të plotë dhe pa kushte. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona në të mirë të të dy kombeve tona”, ka shkruar Zelenskyi.

Fitorja e zgjedhjeve në Shqipëri nga Partia Socialiste është uruar edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Njëkohësisht lideri i partisë Socialiste Spanjolle PSOE, i ka dërguar urimet më të mira për fitoren më 11 maj homologut të tij shqiptar, Edi Rama ditën e sotme.

“Urime Edi Rama, për fitoren bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë dërrmuese përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, shkruan ai në postimin e llogarisë personale në rrjetin social X.

Edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer e uroi Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet e fundit. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, ai shprehu mbështetjen për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Me padurim pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për qytetarët në të dy vendet tona,” shkroi ai.

Një nesazh pati edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, e uroi kryeministrin Rama për fitoren e mandatit të tij të katërt dhe shpreh kënaqësinë për pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet në Tiranë të premten.

“Urime Kryeministrit @ediramaal për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të @NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Me kënaqësi pres të marr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten’, – shkruan Plenkoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë