Biznes

Gijotina e blegtorisë e mbushur me “kasapë”

Blegtorët shqiptarë thonë se po kalojnë një periudhë të vështirë, me ferma që po reduktojnë numrin e krerëve dhe të tjera që po shkojnë drejt mbylljes totale. Ferma “Bana Shpk” në fshatin Ferras të Fierit është njëra prej tyre.

Pronari i saj, Ylli Bana, në një intervistë për Gazetën Si bën një panoramë më shumë se të zymtë. Së fundmi ai ka vendosur që të çojë për në thertore 110 krerë lopë dhe mëshqerra dhe është gati që të shesë edhe 60 krerët e mbetura. Arsyeja nuk është vetëm një.

“Së pari, është se nuk kemi mbështetje nga shteti. Nuk koordinohen punonjësit e Drejtorisë së Bujqësisë, që për mendimin tim i marrin kot lekët. Nuk koordinohet puna fermer, fabrikat e qumështit që mbledhin qumështin. Duhet të jenë të lidhura të gjitha, siç kërkon nga unë vaksinimin e lopëve, qumështin sa më bio, duhet të kërkojë të njëjtën gjë edhe te fabrika”, thotë ai.

Bana thekson se ndryshimi i skemës së subvencionimit të TVSh-së në 2018 ka pasur ndikim në goditjen e aktivitetit të tij, por shton se rënia kishte nisur kohë më parë. Si biznesmen, fajëson për krizën edhe miklimin e interesave politike të grumbulluesve. Ai thotë se këta të fundit, fill pas zgjedhjeve të 25 prillit vendosën që të ulin çmimin e marrjes së qumështit.

“Ajo (TVSH) po e po ka ndikuar, por jo edhe aq e theksuar. Problematika ka qenë më e theksuar pas zgjedhjeve. Nga maji e këtej ka qenë problematika më e madhe, ku morën me 20 për qind ulje të çmimit të qumështit. Kjo është ajo që ndodh kur një biznes është i varur nga politika dhe i ka pasojat pas politikës. U bënë zgjedhjet, fituan zgjedhjet dhe pas tre ditëve na u njoftuan se do të ulej çmimi”, rrëfen ai.

Fermerët duke protestuar kundër ndryshmit të skemës së subvencionimit të TVSh në 2018-ën

Grumbulluesit e përpunuesit e qumështit thanë se me ndryshimin e skemës së subvencionimit të TVSh-së do të detyroheshin që ose të rrisnin me 20 për qind çmimin e produkteve të tyre në treg, ose të ulnin po me 20 për qind çmimin e marrjes së një litre qumështi nga fermerët. Mes këtyre dy alternativave, kanë zgjedhur të dytën fill pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Qumështi, nga 62 lek me TVSh vajti 51 lek me TVSh. U ul brenda ditës pa asnjë njoftim, pa asnjë gjë”, thotë ai.

Ylli Bana tregon për gazetën Si, se një tjetër faktor është edhe rritja e çmimit të ushqimit të bagëtive dhe mungesa e subvencionimit të TVSh-së për këto ushqime.

“Ushqimi, nëse marrim të një fshatar misrin nuk ka kompensim të TVSh. Rritja e çmimeve ishte drastike. Misri nga 27 u rrit në 42, panxhari nga 22 vajti 47, soja nga 56 shkoi në 80”, thotë ai.

Një tjetër faktor, Bana rendit abuzimet me skemën e përfitimit të naftës pa taksa, të miratuar nga qeveria para zgjedhjeve të 25 prillit. Ai deklaron se për të përfituar nga kjo skemë duhet të jesh i angazhuar politikisht.

“Nafta u rrit prap. Kompensim nuk morëm, sepse duhej të kishe një kontratë. Naftën e merrte ai që duhet të ishte simpatizant i partisë, por unë nuk jam simpatizant partie, sepse ose duhej të merresha me partinë, ose me biznesin. Të dyja nuk i bëja dot”, tregon ai.

Në vështirësi na thotë se janë edhe të tjerë fermerë, që ose i kanë hequr bagëtitë, ose po i heqin, ose po mendojnë ta mbyllin biznesin fare.

“U detyruam që i hoqëm dhe nuk jam vetëm unë që i kam hequr dhe ka raste plot sa të duash. Në ish-komunën e Levanit para 15 ditësh i hoqi njëri. E mbylli si aktivitet, sepse u detyrua që u mbyll sepse të ardhurat nuk mbulonin shpenzimet. Këtu në fshat (Ferras) nja 10 krerë i ka shituar dje i ka çuar në thertore një tjetër. Unë kam rreth 60 krerë dhe ato i kam drejt heqjes. Edhe në këtë moment që po flasim bashkë, po më erdhi telefonata unë i hoqa direkt ato”, shton ai.

Ferma Bana Shpk është ngritur që në vitin 1992, ndërsa është zgjeruar me hapa të vegjël deri në vitin 2016-të, kur Ylli na tregon se ka pasur kulmin e aktivitetit dhe fitimit nga biznesi.

“Viti më kulminant ka qenë 2016, sepse ishim në tre vitet e para dhe subencionoheshim. Pas 2016-ës, që u bënë subvencionimet për krerë dhe të qumështit filloi rënia. Të paktën subvencionimi 100 lek për litër i qumështit të jepte një shtysë. Një ferme me 100 krerë lopë, t’i japësh në fund të vitit gjoja sikur po e stimulon 4 mln lek të vjetra?! Ky është mëkat!”, deklaron ai.

Informaliteti është një tjetër faktor që penalizon sipërmarrjet si ajo e Yllit.

“Nuk ka inspektime, sa pika grumbullimi ka një kompani përpunimi qumështi? Nëse mua më penalizon se duhet ta deklaroj qumështin, ashtu të detyrosh edhe atë që e merr të deklarojë se ku e merr, sepse ka nga këta që kanë nga 5 deri në 6-7 lopë që nuk e konsumojnë dot vetë, por e çojnë të grumbulluesi, por të padeklaruar. Kur të largohem unë, grumbulluesi e kalon atë të deklaruar, sepse duhet ta deklarojë e justifikojë djathin që ka në fabrikë”, shton ai.

Ferma është nisur fillimisht me tre persona dhe me sforcime, siç tregon Ylli, për ta modernizuar atë. Tani rrëfen se ka mbetur vetëm.

“Sepse nuk i përballoja dot më taksat . Ferma ka nisur humbjet që nga 2017-s, por jo me aq humbje të madhe që ta ndjenim sa tani. Humbja më e madhe ishte ky vit, sepse na zhgënjeu edhe çmimi”, thotë Bana.

Sipas tij, problemi i blegtorëve shqiptarë dhe i sipërmarrjeve të ngjashme si e tij nuk është as importi, e as eksporti, por burokracitë, korrupsioni dhe abuzimi me skemën e TVSh-së.

Foto ilustruese

“Janë politikat e gabuara që në krye. Drejtoria e Bujqësisë mund të ketë këtu rreth 30 punonjës, nga 400 mijë lek rrogë. Punonjësi me shtëpinë me qira në qytet dhe këpucën me majë dhe Mercedes luksoz, më shikon mua që marr 4 mln lek dhe nga këto 4 mln dua 20 për qind unë më thotë. Ka edhe manovra të tjera plot, si ferma me 5 lopë që regjistrohen në regjistra sikur kanë 250 lopë”, deklaron ai duke fajesuar sindikatat e shoqatat.

“Ne nuk kemi sindikata. Ato janë palë me shtetin. Nuk kemi shoqata. Asnjëherë nuk janë mbrojtur interesat tona. Nuk kam parë të na dërgohet ndonjë ftesë nga këto shoqata që gjoja na mbrojnë. Këtu është çdo gjë nul”, tregon ai.

Ylli rrëfen se ndër vite nuk ka pasur mundësi as të sigurojë biznesin dhe jo për faj të tij.

“Në 2005 kur u bë përmbytja në zonën tonë unë kam ngritur si problem mungesën e sigurimeve, sepse nuk na siguronin, sepse jemi nga Ferrasi dhe na thonin që “jeni me rrezikshmëri të lartë dhe ndaj nuk siguron dot fermën e pronën”, treegon ai.

Në fund, Ylli Bana e cilëson kapitull të mbyllur këtë aktivitet, pas 25 vitesh. Keqardhje nuk ndjen vetëm për veten, por për të gjithë kolegët e tjerë si ai, që po kalojnë të njëjtat vështirësi.

“Këtë kapitull unë e kam të mbaruar, por më vjen keq për kolegët e mi që janë drejt falimenteve, që janë të padrejta, të pamerituara”, mbyll intervistën për Gazetën Si, Ylli Bana, pronari i fermës “Bana Shpk” në Fier.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë