Njerez

“Gëzuar ditëlindjen Pippo Baudo”

Ai është një senator televizioni, dekan i ekranit të vogël, institucion i spektaklit, sqimatar i festivalit të Sanremos, drejtues i një televizioni që nuk ekziston më, por me siguri ka pushtuar edhe shumë zemra shqiptarësh.

Veçanërisht kur gjuhët e huaja dhe kundrimi i kanaleve televizive që nuk flisnin shqip ishte i ndaluar.

Atëherë kur, për të kënaqur shqisat përvidheshim dhe mbanim vesh mos na përgjonim dhe krijonim antenat e improvizuara me kanaçet e aluminit për të parë kryesisht televizionet italiane.

Historia e tij televizive do të niste 60 vite më parë, në moshën 23 vjeçare, pasi do të diplomohej dhe merrte titullin doktor në shkencat juridike (për hir të prindërve), do ti drejtohej stacionit të trenit në Militello (vendlindje), Siçili me dy prindërit të cilët vetëm me një valixhe do ta përcillnin drejt ëndrrës së tij televizive, direkt për në Via Teulada ku ndodhen edhe sot studiot e Rait.

Ai është Pippo Baudo.

Pippo Baudo

Sido që ta përkufizosh, atë nuk e kufizon dot dhe nuk ke shans të gabosh: në çdo perpsektivë që ta shohësh dhe etiketosh, Pippo Baudo mbetet një institucion jetësor i pambërritshëm i televizionit italian.

Edhe për këtë Rai 1 i dedikoi mbrëmë një dopio festë - për 60 vjetorin e karrierës televizive dhe njëkohësisht për 83vjetorin e lindjes së tij me titull “Gëzuar ditëlindjen Pippo!”.

Baudo me drejtuesit e Rait

Nëse do të ktheheshim në retrospektivë, lidhja e Baudos me artin zë fill që në vegjëli me pianon dhe muzikën klasike.
Siç do të rrefehej edhe vetë Baudo mbrëmë gjatë spektaklit, takimi i parë me artin ka qenë përmes pianos.
“Im gjysh nga ana e sime mëje ka qenë tregtar agrumesh. Ai dëshironte shumë që ime më të stduionte piano. Bën një marrëveshje me një mikun dhe kolegun e tij gjerman që ishte po tregtar agrumesh; i dërgon një kamion me fruta në Gjermani, në këmbim të një pianoje të mirë gjermane. Por nëna ime pak e përdori dhe më mbeti mua”.

Në prill të vitit 1960, Antonello Falqui, që sapo i kishte bërë audicionin Baudos do të shkruante për të: "Baudo Giuseppe 24 vjeç. Fantazist. Me perspektivë. Pamje korrekte për kamerën. Diskret në të kënduar. I bie në mënyrë diskrete pianos. Mund të hyjë në punë për programe të vogla ".
60 viet më pas Pippo Baudo – me emrin e lindjes Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo -ende qëndron në skenë (edhe pse sot mbart ëmbëlsinë e një tigri të lodhur), 6 dekada të jetuara si protagonist absolut i televizionit italian, gjithmonë fantazist e kurrë prezantues mesatar.

Baudo kurrë nuk është kënaqur të lundrojë mbi sukses – Ai ka prodhuar formate televizive, ka krijuar personazhe televizive ("l'ho inventato io!"), ka bërë duart pis kur ka qenë e nevojshme, ka rënë dhe është ngritur (kur pas eksperiencës në Mediaset do të kthehej tek Nëna Rai "duke u mjaftuar" me Rai 3), gjithmonë me stilin e tij krenar prej personazhi popullorkombëtar.

Baudo, historia e televizionit dhe e Rait

Pippo Baudo

Baudo ka ndërthurur historinë e tij profesionale dhe njerëzore me atë të Rait dhe me të gjithë Italisë, duke pushtuar skenën në studio Fabrizio Frizzi ku Rai 1 paguan haraçin e duhur me “Buon compleanno Pippo !”, në prima serata 20.35 për tre orë e gjysmë. Dhe në fund të fundit, televizioni shtetëror i bën homazhe vetes sepse, Baudo dhe disa të tjerë si Mike Buongiorno, Alberto Sordi, Corrado, Raimondo Vianello janë mishërimi dhe shtylla kurrizore e televizionit publik, me të cilët ai idnetifikohet. "Isha duke u rritur, programet e mia po rriteshin gjithashtu, unë po studioja dhe atë që unë studioja e vendosja në programet e mia ", u shpreh gjatë takimit pritës me gazetarët dhe drejtoren e Rai 1, Teresa De Santis, Pippo Baudo.

Gjashtëdhjetë vjetë karrierë, nga bardhë e zi në me ngjyra. Me një aftësi të lindur për të përzier nivelin e lartë me të ulët, festat në shesh (ku ai ka takuar dhe pushtuar zemrën e vërtetë të vendit) dhe ku ka krijuar e prekur shkëlqimin e Festivaleve të mëdha të Sanremos, spektaklet variete që nuk bëhen më, Domenica In dhe në fillim të mbrëmjes (çka është një gur i çmuar Luna Park!), audiencën e lartë të Fantastico dhe Novecento, që e konsideron programin e tij më të suksesshëm. "Çdo gjë që dëshiroja të bëja, e bëra, unë kam qenë gjithmonë i kënaqur, nuk kam pengje, mërziti apo keqardhje, kam vetëm gëzime, nëse dikush më ka zhgënjyer? Unë i bëj gjërat sepse dua ti bëj. Nëse më pas vjen mirënjohja, është një vlerë e shtuar ". Dëshira juaj për Rai? “Le të vazhdojë të ofrojë televizionin e vërtetë. Rai duhet të ruajë krenarinë e të qenit TV i pare”.

“Buon compleanno Pippo!”

Programi nisi në 20 e 30 në Rai Uno dhe zgjati për 3 orë e gjysmë. U çel nga Fiorello i cili në hapje do të thoshte me humor:
“Për ne siçilianët, Baudo është një simbol. Është simbol i Siçilisë tonë i ngjashëm me personazhe të mëdhenj si Pirandello, Quasimodo, Sciascia, Malgioglio. Të gjithë personazhet që e kanë bërë Sicilinë të mrekullueshme. Kur më thanë: “Të ftojmë në një mbrëmje për të festuar karrierën 60-vjeçare të Pippo Baudo, unë u përgjigja: “Djema me një mbrëmje nuk arrijmë gjë, mendoj se do të duhej një seri, si “Froni i Pippove” …. 7 qershori është një festë për siçilianët. Në Sicili ne japim dhurata si për Krishtlindje, është ardhja e Pippismos në Itali. Sicilianët shkojnë në një pelegrinazh nga Baudo, aty është rruga e famshme e Santiago di Militello ku shkojmë për ti bërë homazh. Pippo ka qenë një njeri shumë i fuqishëm. Sicilia është italiane prej 30, 40 vitesh, më parë ishte e tija ".

https://www.youtube.com/watch?v=lErKbf-55n8

Në vijim programi u drejtua nga vetë Baudo, i cili mirëseardhi të gjithë të ftuarit, personazhe që i ka zbuluar vetë gjatë 60 viteve karrierë, që nga Albano e Romina Power, Jovanotti, Michelle Hunziker, Gigi D 'Alessio, Tullio Solenghi, Massimo Lopez, Anna Tatangelo, Giancarlo Magalli, Ficarra dhe Picone.
Nuk mund të mungonin krijesat “Baudiane” si Lorella Cuçarini, Giorgia dhe Laura Pausini.

Përpos bisedave dhe numrave muzikorë të shoqëruara nga orchestra e drejtuar nga maestro Bruno Biriaco, në videoprojektor u shfaqën episode nga sukseset e Baudos ndër vite dhe bashkëpunime me kolegë të tij. S. Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë