Njerez

Gëzime, përmbushje, çmime por dhe humbje. Si ka qënë 2024-tra e Besnik Mustafajt, Sonila Meços dhe Enkel Demit?

Nga GazetaSi – Viti 2024 në tërësi thuhet se ka qënë vit i vështirë. Përgjithësisht fundet e lehtësojnë peshën e gjykimit. Duke dashur të harrojmë të këqijat e një viti, përpiqemi të kujtojmë të mirat e tij dhe t’ia nisim vitit të ri me shpresa dhe aspirata të reja. Por si ka qënë ky vit në aspektin personal por edhe atë publik për ata të cilët realitetin shoqëror dhe politik e kanë lëndë të parë. Besnik Mustafaj , Sonila Meço dhe Kel Demi rrëfëjnë për Gazeta Si , 2024-trën e tyre.

Besnik Mustafaj: Një vit plot me botime të reja, me çmime të fituara por dhe me humbje

Shkrimtari Besnik Mustafaj e nis rrëfimin duke përkujtuar dy nga miqtë e tij  që u ndanë  nga jeta gjatë këtij viti.

 “Për mua si njeri ishte një vit shumë i mbarë. Vetë dhe familja kemi gëzuar shëndet shumë të mirë. Te miqtë humba të mrekullueshmin Skënder Rusi, i cili ka lënë një dhimbje në zemrën time, por edhe në poezinë e sotme shqipe. Më duket me vend të kujtoj me dashuri edhe largimin në amshim të Skënder Karriqit, një mik dhe studjues shumë i mirë i letërsisë”

Por për Mustafajn, viti 2024 kategorizohet si vit i mirë. Botimet e romaneve të reja dhe çmimet e fituara prej tij, janë disa nga momentet e çmuara që ky vit i solli. 

“Po aq i mbarë ka qenë për mua ky vit edhe si shkrimtar. Onufri nxori dy botimet e mia të reja, librin me tri romane të shkurtra “Porta e ngushtë e purgatorit” dhe përmbledhjen me aforizma “Libri i bletës”, një hulumtim shumë i imët i Profesoreshë Teuta Nunaj Kortoçi në gjithë veprën time për të nxjerrë në pah shprehjet që paraqiten si aforizma. Romani “Fati i marrë”, botuar vitin e kaluar, u nderua me Çmimin e madh si libri më i mirë nga Panairi i librit i Prishtinës. Festivali më i rëndësishëm e më i vjetër në hapësirën kulturore shqiptare, “Mitingu i poezisë” i Gjakovës, më nderoi me Çmimin e madh të karrierës. Festivali i poezisë i Korçës më dha “Kurorën e Festivalit”.

Edhe përkthimet në gjuhë të huaja kanë qënë një tjetër sukses i Mustafajt për vitin 2024:

“Kam pasë dy botime jashtë. Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” u përkthye në arabisht, me ç’rast isha i ftuar nderi në Panairin e librit të Kajros, më i madhi i këtij lloji në botë. Ky është romani i tretë që botohet në arabisht. Panairi kishte organizuar një sërë veprimtarishë rreth veprës time romaneske, me jehonë të madhe në mediat e gjithë botës arabe. Po ashtu romani im i parë, “Vera pa kthim”, u botua në Itali dhe po gjen një pritje shumë të ngrohtë nga mediat dhe lexuesi” – thotë Mustafaj

Sonila Meço: Humbja e babait shënjoi vitin 2024 si vitin më të trishtë

Ndërkaq për gazetaren dhe analisten Sonila Meço , ky vit ka qënë një skenar me shumë role, ku në sfond të secilit rol ka pasur nga pak trishtim e dhimbje:

“Do ta dua 2024-ën megjithë dhimbjet e trishtimin e pangjashëm që më solli qyshse kam ardhur në këtë jetë. Të jem e sinqertë, po mësoj ta dua këtë vit, siç ende mësoj të dua veten edhe kur më bëhet kundërshtarja e armikja më e pamëshirshme. Po, po! Vetja e ka aftësinë të të surprizojë, për mirë a keq varet si vendos ta përballësh, me egoizëm a dashuri. Si jetën. Këtë ma mësoi 2024-a me ngjarjet, që më shërbeu dhe Sonila me aftësinë për të përballuar veten e re, që ky vit e kish marrë mision ta sfidonte” nis rrefimin ajo.

Përjetimet dhe analizat e Meços  për këtë vit përmblidhen në disa pika.

“Përjetimet personale, dramat, dhimbjet, gëzimet e ngjarjet familjare u bënë sfond i dhjetra programesh televizive, podcast-esh e reels-ash në rrjete sociale këtë vit, ndaj nuk dua të ngarkoj askënd me të miat. Por mund t’ju dëshmoj në vetë të parë kronikën e një viti si mësime të nxëna me zell nga një “studente” e palodhur për të kapur kuptimin e jetës:

1. Shqipëria i ngjan një njeriu të harxhuar e shteruar në sorrollatje, sepse ende i lejon atyre, që e qeverisin të ndihen komodë edhe kur e dërrmojnë. Këtë vit u shpopullua, u varfërua, iu prek territor e iu tha toka si mosozot. Por e ka ende në dorë ta ndalë mysybetin. Edhe ashtu e lodhur, e shfytyruar. Mjafton secili të respektojë veten, duke kujtuar se kjo jetë nuk është provë gjenerale, që mund t’ja lerë kujtdo të babëzituri t’ja çojë dëm e të presë “show”-n final për ta shijuar.

2. Pritja nga jashtë e zgjidhjeve është një çmenduri, që edhe nëse funksionon një herë s’mund të jetë zgjidhje e përhershme. Sepse siç erdhi, mund edhe mos vijë kurrë. Ky vit na dëshmoi se një pushtet i korruptuar mund të blejë influencë jashtë sa të dojë nëse nuk paguan brenda për vendimet kriminale, korruptive e abuzive ndaj teje.

3. Pa opozitë një vend është i destinuar të të bëhet i pajetueshëm, vetëm nëse je pushtetar. As servil pushteti jo e jo, se të shtrydh mirë, që të të hedhë lehtësisht. Opozita e vërtetë ndaj një regjimi matet veç me një kriter: nuk i jep asnjë shans atij pushteti, në emër të kujtdo atuje për t’ja zgjatur jetën. Ky vit na dëshmoi se i vetmi kriter për të shpëtuar nga një regjim përçudnues është o i zgjat jetën o e mund. Çdo opsion tjetër, me a pa vetëdije, me qëllim të mirë a të keq i jep frymë një hijene në ngordhje”

Humbja e babait  e shënjon këtë vit si vitin më të trishtuar të jetës saj:

” Këdo duam me shpirt nuk e humbasim kurrë. Ikja e babit në një tjetër botë më përmbysi referenca e më shkundi taban ekzistencial, por më bindi se dashuritë e mëdha i nënshtrohen ligjit të Njutonit për energjinë, as zhduken e as shfaqen nga moskundi, veçse ndryshojnë formë. As unë nuk jam më e njëjta. Me humbjen e të shtrenjtëve, në çdo rrethanë, shuarje a ndarje, dhimbja nuk ikën, por ti mëson të bashkëjetosh me të, do shërohesh duke ndërtuar veten mbi vuajtjen.

Dhe do jesh sërish e plotë, e përmbushur mbi atë ikje, por jo e njëjta. Dhe s’ka sesi…por ka një kusht për ta rigjetur lumturinë, duhet ta duash fort veten e re, pa u lidhur pazgjidhshmërisht me atë që ishe. Respektoje, por mos iu kthe. E reja të mësoi se vijmë e ikim vetëm nga kjo botë e në atë perimetër gjenden burimet e mjaftueshme për të konfirmuar veten, për të përmbushur kuptimin e jetës” thotë ajo.

Por Sonila ka dhe një urim për shqiptarët në këtë ditë të fundit të 2024-trës:

“Në përshëndetjen e fundit me 2024-ën dhe të parën me 2025-ën u uroj shqiptarëve me të cilët ndaj jetë, përvoja, ajër, tokë, ujë e dritë atë, që i uroj edhe Sonilës: të dinë ta respektojnë fisnikërisht veten, sepse nga mënyra si duan veten, do t’u mësojnë të tjerëve si t’i duan e respektojnë…denjësisht”

Enkel Demi: Ky ishte viti im!

E nëse përpiqemi ti vëmë një emër këtij viti, padyshim që 2024 mund të quhet viti i Kel Demit. Fitimi i çmimit të madh të panairit të librit , festivali i 23- të në Rtsh, dhe së fundmi për ta përmbyllur në mënyrë ideale, lindja e nipit të tij, Mark Demi.

“Nuk i kam fort për zemër bilancet e fundvitit. Më krijojnë një farë pasigurie, pasi më shkon në mëndje mos kam marr më shumë se më takon. Por, një gjë mund ta them me siguri, se pas nje viti me ngritje-ulje si 2023, ka dasht i Madhi Zot që në 2024 kemi qenë mirë me shëndet.

Kjo ka shumë rëndësi, veçanërisht për mua që jam i bekuar me një shtëpi të madhe, ku të tërë jetojmë nën një kulm. Të tjerat janë të dorës së dytë. Atë që njerëzit i konsiderojnë suksese personale, unë i shoh si pjesë e punës time të përditshme. Përjashtim bën vetëm letërsia, në të cilën unë bëj përpjekje për të treguar rrëfenjat e mia, të cilat për dikë janë të rëna nga qielli, për do të tjerë nuk vlejnë dy lekë.

Deri tani ata që besojnë në artin tim janë pak më shumë, por unë nuk jam oficer të rreshtoj ushtritë në fushë betejë. Me këtë dua të them që më mjafton qoftë dhe një lexues i vetëm që të më japë forcë të shkruaj të tjera ndodhi që flenë tek unë”

Demi thotë se lindja e nipit të tij Markut, ishte ngjarja jo vetëm e këtij viti por e jetës:

“Gjithsesi ky është viti im dhe i shtëpisë time. 2024 do të shkruhet në jetën time me titullin “Viti sipas Markut”. Tani që e shoh tek fle, grindet apo qan kuptoj se dhurata e një jete të re është bekimi më i madh që mund të marr prej Hyjit një mëkatar kokëulur si puna ime” thotë Demi i cili ka dhe një urim për shqiptarët”

“Ju uroj të gjithëve shëndet, mbarësi dhe hirin e Zotit që i qofshim falë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë