Rend dhe Ligj

Gëzim Çela ekstradohet në Shqipëri, e konfirmon Ministria e Drejtësisë

Gazeta Si – Gëzim Çela, narkotrafikanti i ndaluar në Kosovë, do të ekstradohet në Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Drejtësisë, që me një njoftim zyrtar shpejgon:

“Ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe në vijim të komunikimit mbi këtë kërkesë për ekstradim, Ministria e Drejtësisë të Kosovës, me emailin e datës 26.02.2024, ka përcjellë njoftimin e autoriteteve kosovare të drejtësisë mbi vendimin Nr. 05179662, dt. 11.01.2024 të Gjykatës Themelore në Ferizaj/ Kosovë, për lejimin e ekstadimit të thjeshtuar këtij shtetasi, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë“, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Gëzim Çela. Gazeta Si, 27 shkurt 2024

Çela u arrestua në dhjetor të vitit që lamë pas, pasi ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar (Lexo më shumë). Prangosja e Çelës u finalizua në Ferizaj në momentin kur ai ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria. Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës, nën emrin Bekim Bajraktari.

55-vjeçari nga Fushë-Kuqja e Kurbinit, prej vitesh rezulton i shumëkërkuar për drejtësinë shqiptare e jo vetëm. Ish-punonjësi i Forcave Speciale, e nisi aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ky ku ka dhe një dënim në mungesë prej 20 vitesh. Dhe në Shqipëri është akuzuar për shumë ngjarje dhe i dënuar në vitin 2014 në mungesë për një laborator për përpunimin e kokainës.

Gjithashtu Gëzim Çela u shpall sërish në kërkim si organizator i grupit tashmë të goditur nga policia në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar gjatë operacionit të finalizuar në Tetor të vitit që lamë pas, të koduar “Flakë në det”. Ky operacion parandaloi një tentativë të shkëmbimit të lëndëve narkotike në det të hapur ku mes të arrestuarve kishe punonjës dhe ish-punonjës policie.

Çela, një ish-punonjës policie, konsiderohet si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroines. Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe, ku policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë