Dokumentar

“Get Back”, ja pse duhet të shihet dokumentari mahnitës i Beatles

Ky dokumentar i Peter Jackson është një udhëtim “brenda” grupit që nuk e kemi parë kurrë kaq nga afër. Dhe hedh dritë të re mbi dinamikën e brendshme të grupit dhe lindjen e kryeveprave të pavdekshme.

“Get Back”, jo vetëm për fansat

Ato shtatë orë e gjysmë, në pamje të parë, do të trembnin këdo: ende pa i parë, kush mund të kishte guximin të niste një maratonë të tillë dialogësh të fragmentuar dhe xhirimesh, në fund të fundit, vetëm në tri lokacione? Por siç mund ta shihni më vonë, shikimi i dokumentarit rrjedh shpejt, sepse ndoshta nuk i keni parë kurrë Beatles kaq nga afër. Në fakt, ne po flasim për “Get Back”, dokumentarin e jashtëzakonshëm të Peter Jackson. Janë xhirimet e incizimeve të janarit 1969 në studiot londineze të Twickenham dhe më pas të Savile Roë, selia e Apple, e kryeveprave të ndryshme, nga “Get Back” tek “Let It Be” që më pas do të përfundojnë në të fundit album të grupit. Ndërkohë është edhe koncerti i famshëm në çatinë e së njëjtës kompani diskografike, “The Rooftop”, prova e fundit live e katërshes legjendare.

Materiale të pabesueshme

Është një zhytje në historinë e tyre. Më shumë se shtatë orë nuk janë asgjë më shumë se një fragment i gjashtëdhjetë që u xhirua nga Michael Lindsay-Hogg, regjisori që donte të bënte një TV special me ato regjistrime dhe më pas një koncert në Afrikë, në rrënojat e mrekullueshme të Sabratha, por në fund do të dalë vetëm “Rooftop”, që do të përfundojë në filmin “Let it Be”.

Në ato mbi shtatë orë, Beatles flasin, luajnë, hanë, flenë, qeshin, zemërohen, në një lloj Big Brother, ku kamera zhduket dhe djemtë (Ringo më i madhi është vetëm 29 vjeç, Harrison, më i riu 26) janë kapur, në marrëdhënien e tyre, në dinamikën më natyrale të mundshme.

Dinamikat e vërteta të grupit

Dhe pikërisht në dinamikë ka surprizat më të mëdha: ishte menduar se ardhja e Yoko përkonte me fundin e Beatles. Por, për herë të parë, kur shikon Get Back, kupton se nuk është kështu. Yoko është atje, por ajo është e heshtur, pothuajse një sfinks. Ajo që ne realisht kuptojmë në vend të kësaj është roli absolutisht qendror i Paul McCartney, mund të thuhet thuajse diktatorial në pjesën e parë, në kompozimin, në aranzhimet, në zgjedhjet, jo vetëm muzikore, të grupit.

Një perandori e toleruar dobët nga të tjerët, veçanërisht nga George Harrison, i cili është pothuajse i frustruar duke u vendosur gjithmonë në një pozicion anësor dhe të varur. Nëse ka ndonjë gjë, Lennon është dëshmitar i gjithë kësaj. Dhe kur Xhorxhi përplas derën dhe largohet i pari, ai do të përpiqet të rregullojë marrëdhënien, duke e diskutuar atë në mënyrë të gjallë me Paulin (një nga momentet më të forta të të gjithë dokumentarit) dhe duke arritur të kthejë këtë lamtumirë të parë.

Si lindin kryeveprat

Por ajo që është më emocionuese për Get Back është dëshmia e lindjes së disa kryeveprave të pavdekshme. Vetë “Get Back” që kthehet nga një këngë proteste në një rock'n'roll; “Let It be” aludohet në piano nga Paul, e cila dalëngadalë merr formë; “Don't Let Me Doën” me një Gjon që pasi bën matjet thuajse me mosinteresim, më pas hyn në pjesë me një fuqi të jashtëzakonshme shprehëse. Dhe të katër diskutojnë për muzikën e pastër, përballen me njëri-tjetrin dhe, për herë të parë, kuptojnë plotësisht procesin krijues të grupit më të madh në histori. Beatles më në fund argëtohen dhe na argëtojnë.

Lamtumirë në çati

Dhe pastaj është ai koncert, “Rooftop”, kur braktisen idetë ekzotike ose të paarritshme, të katër vendosin të kenë performancën e tyre të fundit live në çatinë e kompanisë së tyre diskografike. Nuk është një risi, sepse tashmë mund të shihet në filmin “Let It Be”, por në këtë rast është fundi i një rrugëtimi, përfundimi i duhur i kulmit gjashtëorësh që i paraprin. Beatles ishin gjithashtu revolucionarë në këtë: organizimi i një koncerti “të paligjshëm” mund t’ju vinte në mendje vetëm atyre. Dhe është gjithmonë mbresëlënëse të shohësh surprizën e fansave të stërmbushur në rrugë, habinë dhe hutimin e policëve që ndërhyjnë për të shuar magjinë, ekzekutimin e plotë të këngëve në të cilat shfaqet gjeneza dhe alkimia e shkëlqyer e një grupi që po vdes. Dhe kur Gjoni largohet me dëshirën “të kalonte audicionin”, ne jemi të prekur përsëri, për herë të fundit, duke menduar për atë që mund të kishte qenë ende dhe çfarë nuk ishte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë