Drejtësia

‘Gërdeci’, shtyhet sërish seanca ndaj Fatmir Mediu. SPAK do verifikojë prokurat

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka vendosur shtyrjen e seancës për ish-ministrin e Mbrojtes Fatmir Mediu në lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec në vitin 2008.

Seanca u shty, sepse SPAK duhet të verifikojë listën me 107 persona, të cilët përfaqësohen nga avokati Dorian Matlija.

Në total gjykata ka thirrur 294 persona, ku 107 persona janë të plagosur rëndë ose familjarë të viktimave. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet me 7 korrik në orën 08:30.

Nga ana tjetër avokati i familjarëve deklaroi se prokurat janë bërë të viteve të ndryshme, nga viti 2011. "Nuk ka asnjë lloj problemi sepse janë procese gjyqësore që zgjasin”, tha avokati.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më herët, gjyqi ndaj ish-ministrit ka dështuar disa seanca me radhë për shkak të avokatëve mbrojtës të Mediut të cilët nuk janë paraqitur.

Ndërkaq pjesë e seancës së kësaj të enjteje, kanë qenë edhe të gjithë personat që janë dëmtuar nga shpërthimi ku mbeten të vrarë 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, ku i vetmi i pandehur për shpërdorim detyre është ish ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë