Gazeta Si - Gjyqi për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shtyrë sërish. Këtë herë, shkak është bërë një pasaktësi në 109 prokurat e paraqitura nga avokati i familjarëve, Dorjan Matlia.
Prokurorët kërkuan kohë për të kryer verifikimet e kësaj prokure. Gjyqi i radhës për Mediun do të jetë më 18 korrik ora 14:00.
Avokati i disa prej familjarëve, Dorian Matlija tha gjykata nuk pranoi prokurat dhe kërkon të reja.
“Ky proces ka qenë i vonuar, dhe të paktën tani ka ecur. Dhe nuk dua që të bëhemi ne pengesë. Unë solla disa prokura, do të shohim, do t’i bëjmë gati për herën tjetër”, tha ai.
Më herët, seanca ndaj ish-ministrit është shtyrë për shkak të verifikimit të listës së paraqitur nga familjarët e personave të dëmtuar nga shpërthimi.
Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.
Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit, si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu.
26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.