Gazeta Si- Shtyhet sërish seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në hetim për tragjedinë e Gërdecit në mars 2008.
Pesë ekspertë kishin dorëzuar në gjykatë përgjigjet e pyetjeve të bëra nga prokuroria dhe nga avokatët, por të dyja palët kanë kërkuar kohë që të njihen me këto përgjigjie.
Ndërkohë Gjykata ka pranuar kërkesën e tyre duke e shtyrë seancën për në datën 11 shtator në orën 10:00.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.
Në total, 113 pyetje janë paraqitur nga mbrojtja e Mediut, të cilat do i drejtoheshin ekspertëve kontabël për dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Ndërkohë në seancë nuk është paraqitur një nga ekspertët. Eksperti Ymer Stafa ka njoftuar gjykatën se mungon për arsye shëndetësore.
Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.
Pak ditë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.
Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.
Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.