Drejtësia

‘Gërdeci’, Mediu refuzon të pyetet si i pandehur në SPAK: Asnjë fakt ndaj meje, do flas pas dëshmitarëve

Gazeta Si- Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu nuk ka pranuar të japë deklarime këtë të mërkurë në SPAK për çështjen “Gërdeci”, për të cilën është nën hetim për shpërdorim detyre. Seanca e sotme ka zgjatur rreth një orë, ndërsa e ajo radhës u caktua nga SPAK në datën 17 mars. Mediu tha se duhet të merren në pyetje dëshmitarët fillimisht dhe më pas ai.

Në përfundim të seancës, në të cilën ish-ministri është marrë i pandehur, Mediu tha se nuk ka asnjë fakt apo veprim të tij në atë kohë që ta implikojë në shpërdorimin e detyrës.

Sipas tij, çështja e “Gërdecit” përdoret prej 17 vitesh për interesa të politikës në fushata elektorale dhe është kthyer në histori mediatike.

Ai kërkoi që përgjegjësi për tragjedinë duhet të mbajë edhe kompania e huaj që kishte lidhur marrëveshje për demontimin e armëve.

“Mendoj që është në shërbim të së vërtetës që unë të pyetem në fund të procesit. Pse në fund? Sepse mendoj që është mirë që gjithësecili të dijë rrethanat dhe faktet e dëshmive, por njëkohësisht edhe argumentet shkresorë. Kjo e bën më të plotë dhe më të qartë raportin tim me procesin, – tha ai. – Në të gjithë këto seanca gjyqësore për këdo i cili do ta mësojë të vërtetën, kanë dalë qartë që nuk ka as edhe një fjalë të vetme jo më fakt që të implikojë ministrin në shpërdorim të detyrës. Si një ministër civil ka respektuar ekspertizën ushtarake në vendimmarrjen e tyre. Ka kërkuar me urdhër që të raportohet në mënyrë periodike dhe nuk ka asnjë germë të vetme se atë që ndodhte në Gërdec ta cilësonte të paligjshme. Mendoj që në këto 17 vite është bërë një histori mediatike duke lozur me ndjenjat e familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe për ta mbajtur gjallë në çdo fushatë elektorale me interesa politike”, – u shpreh ai.

Ish-ministri shtoi para mediave se nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm e se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë për ngjarjen e 15 marsit 2008.

“Pyetja e dëshmitarëve duhet të çojë të vërtetën deri në fund. Procesi i paligjshëm. SPAK kishte kohë 2 vite jo vetëm të pyeste, por edhe të korrigjonte veprimet e paligjshme të prokurorisë. Në fund të procesit, është mirë që të ketë argumente shkresore, – deklaroi Mediu. – Është manipuluar, pasi në gjithë këto seanca gjyqësore për këdo që do të mësojë të vërtetën ka dalë se nuk ka asnjë falje të vetme, jo më fakt që të implikojë ministrin”.

Nga tragjedia e Gërdecit më 15 mars 2008 ku ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë