Gazeta Si - Pas seancës së radhës për çështjen "Gërdeci", ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kundërshtuar sërish aktin ekonomiko-financiar të ekspertëve ddhe tha se "po shqyrtohet një akt absurd nga pikëpamja ekonomike dhe ligjore".
Sipas tij, ky akt “nuk ka përcaktuar se kush janë raportet dhe përgjegjësitë e ministrit, madje kanë deklaruar se nuk ka asnjë dëm ekonomik të shkaktuar nga ministri”.
Duke iu përgjigjur pretendimit të ekspertëve, Mediu tha se asnjë fishek nuk shkonte pa u raportuar në NATO.
“Pretendimi është sipas ekspertëve që shefi i shtabit të përgjithshëm të FA dhe strukturat ushtarake nuk ishin në dijeni për transportin e municioneve. Ky është një operacion ushtarak dhe jo civil dhe si i tillë komandohet e zbatohet dhe raportohet dhe çdo ditë shkon në qendrën operacionale dhe përgatitej një raport jo vetëm për presidentin e kryeministrin dhe strukturat e NATO-s. Asnjë fishek nuk shkonte pa raportuar në NATO. Nuk ka patur asnjë gjë jashtë marrëdhënieve të transparencës dhe është bërë në zinxhirin politik e ushtarak. Çdo muaj komanda logjistike bën planin për transportin e municioneve”.
Duke ironizuar akt-ekspertimin për demontimin e municioneve, Mediu thekson se në Poliçan nuk është bërë demontim fishekësh as para dhe as pas ngjarjes së Gërdecit, dhe kjo sipas tij është e provuar me vendim gjykate.
Disa ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.