Drejtësia

‘Gërdeci’, familjarët e viktimave i kërkojnë SPAK dhe GJKKO përshpejtim të procesit: Mediu të mos dalë jashtë vendit

Gazeta Si - Familjarët e viktimave të çështjes “Gërdeci” i kërkojnë GJKKO-së përshpejtimin e procesit, pasi sipas tyre po zvarritet.

Ditën e mërkurë u shty seanca e radhës ndaj të pandehurve, por familjaret e viktimave kanë depozituar 2 kërkesa në GJKKO dhe SPAK.

Mësohet se familja Durda, e cila humbi djalin e saj të mitur në tragjedinë e para 15 viteve, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme përshpejtim të seancave gjyqësore, duke çliruar nga ngarkesa gjyqtaren e çështjes, Irena Gjoka, pasi aktualisht për ketë dosje zhvillohet seancë çdo 2 jave.

Kërkesa tjetër është depozituar në SPAK, ku po familja Durdaj, kërkon që ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të caktohet masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit.

Familjarët argumentojnë se në rast dënimi, si shumë zyrtarë të tjerë, Mediu mund t’i shmanget drejtësisë dhe nga ana tjetër mund të ndikojë tek dëshmitarët që pyeten jashtë vendit, si në SHBA në funksion të këtij gjykimi.

Kërkesa i drejtohet kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorëve të dosjes Klodian Braho, Arben Kraja.

"Shtetasi Fatmir Mediu është hetuar në gjendje të lirë dhe deri më sot vijon të gjykohet në në gjendje të lirë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm që është organi i akuzës që i vlerëson vetë nevojat e sigurimit, por përsëri shprehim shqetësimin tonë që një masë sigurimi është e nevojshme në rastin konkret, nisur nga praktika e zakonshme e SPAK, si dhe nga faktet që: shtetasi Fatmir Mediu, në gjendje të lirë, ka mundësi më të mëdha për të ndikuar te dëshmitarët dhe ekspertët e procesit penal për sa kohë, me ritin e gjykimit të zakonshëm, këta persona thirren për të dëshmuar edhe një herë para gjykatës, përveç deklarimeve të dhëna më herët para prokurorëve. Sipas raportimeve mediatike, shtetasi Fatmir Mediu rezulton të ketë vizituar SHBA, ndërkohë që me anë të letër porosisë është kërkuar marrja në pyetje nga autoriteteve vendase të dëshmitarëve me shtetësi amerikane. Në të kaluarën ka ndodhur që persona të gjykuar në gjendje të lirë të jenë larguar jashtë Shqipërisë duke e vështirësuar procesin dhe madje bërë të pamundur ekzekutimin e dënimit të tyre. Një situatë e tillë, nëse ndodh, cenon të drejtat tona të parashikuara nga neni 58 i KPP, sepse nuk krijon sigurinë për të bërë një ndjekje penale efektive me të gjithë pasojat e saj", - lexohet në kërkesën ndaj SPAK.

Ndërkohë në kërkesën drejtuar GJKKO-së shprehet shqetësimi për zvarritjen e procesit.

"Me qëllim që gjykimi ndaj shtetasit Fatmir Mediu të zhvillohet shpejt, për interesa të drejtësisë, të familjarëve të viktimave dhe të plagosurve të tragjedisë së Gërdecit që janë investuar në këtë proces, si dhe të vetë të pandehurit, nevojitet që të gjenden mundësitë për të shmangur shkaqet që krijojnë vonesa. Një nga zgjidhjet me vlerë do të ishte që gjyqtarja e çështjes, Znj. Irena Gjoka, të mos ngarkohet me çështje të tjera gjatë periudhës që është e angazhuar në këtë proces, deri në përfundimin e tij" thuhet në dokument.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë