Gazeta Si – Aktori francez, Gerard Depardieu ishte sot në Gjykatën e Parisit për seancën e parë të gjyqit (që duhet të zgjasë deri të martën) ndaj tij për dhunë seksuale dhe ngacmim.
Ai u prit jashtë nga një grup feministesh duke brohoritur parulla të tilla si: “Viktima, ju besojmë; përdhunues, ju shohim” dhe “Prekeni një? Të gjithë reagojmë”.
Aktori 76-vjeçar, i denoncuar nga dy gra, të cilat punonin në xhirimet e një filmi ku ai ishte protagonist, në vitin 2021, heshti. Avokati i tij tha: “Të gjitha akuzat janë të rreme”.
Depardieu akuzohet nga Amélie dhe Sarah (emri i parë i ndryshuar), një stiliste 54-vjeçare dhe një ndihmës regjisore 34-vjeçare, për sulm seksual, ngacmim seksual dhe abuzim gjatë xhirimeve të filmit të Jean Becker, “Les Volets verts”.
Aktori, një figurë me famë botërore në kinematografinë franceze me mbi 200 filma, është akuzuar për dhunë seksuale nga disa gra gjatë gjashtë viteve të fundit.
Kjo është hera e parë që Depardieu, një nga aktorët më të shquar të filmit në Francë, del në gjyq për akuzat për sulme seksuale.
Ai ishte akuzuar më parë publikisht ose përmes ankesave zyrtare për sjellje të pahijshme nga më shumë se 20 gra, por asnjë çështje tjetër nuk ka arritur në gjykatë. Disa u pushuan për shkak të mungesës së provave.
Në një rast të veçantë, aktorja franceze Charlotte Arnould e akuzoi Depardieu për dy përdhunime që dyshohet se janë kryer në gusht 2018.
Depardieu u akuzua në vitin 2020 për përdhunim dhe sulm seksual në atë rast dhe në gusht 2024 prokurorët i kërkuan atij të shkonte në gjyq, por gjyqtari nuk ka marrë ende një vendim. Në një letër të hapur në gazetën “Le Figaro”, ai shkroi: “Kurrë, por kurrë nuk kam abuzuar me një grua”.
Jérémie Assous, avokati i Gérard Depardieu, deklaroi se klienti i tij “nuk dëshiron të thotë të vërtetën e tij, por dëshiron të thotë vetëm të vërtetën. Një numër i madh elementësh tregojnë se akuzat janë të rreme”.
“Ai, – këmbënguli avokati, – i ka kundërshtuar gjithmonë të gjitha akuzat dhe nuk e ka pranuar as sulmin më të vogël. Është raportuar vetëm versioni i akuzuesve. Ne do të kalojmë nga një dosje akuzash në një dosje në favor të Gérard Depardieu”.
Mbi akuzat për ngacmim dhe fyerje seksuale, avokati pranoi se aktori “është dikush që ka një gjuhë jashtëzakonisht vulgare dhe që mund të thotë edhe gjëra të çmendura”.
Avokatja e njërës prej dy paditëseve, Carine Durrieu Diebolt, tha për radion “France Info”, se klientja e saj “po pret me qetësi rezultatin e çështjes…” sepse çështja do të ishte konkrete.
Durrieu Diebolt tha se katër gra të tjera që thonë se janë sulmuar seksualisht nga Depardieu do të flasin në gjyq si dëshmitare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.