Politike

Gazment Bardhi thyen heshtjen pas 72 orësh: Zgjedhjet nuk shprehin vullnetin real të qytetarëve

Gazeta Si – Drejtuesi politik i Qarkut Fier i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka thyer heshtjen 72 orë pas mbylljes së votimeve, duke bërë reagimin e parë pas humbjes në zgjedhjet e 11 Majit.

Bardhi falënderoi mbështetësit demokratë, por thekson se është zemërthyer se zgjedhjet nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve.

Sipas tij, në Fier kishin përballë një bandë ministrash dhe drejtorësh të korruptuar. Bardhi paralajmëron se demokratët do të qëndrojnë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëzit e lirë.

“Një falënderim zemre”, por “me zemër të thyer”, – komenton deputeti demokrat në rrjetin social Facebook.

“Pasi zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falënderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin! Ju falënderoj me zemër për qëndresën dhe besimin! Një falënderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur!”, shkruan Bardhi.

Më tej, ai nënvizon se demokratët do të qëndrojnë “së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë”.

Në Fier, Partia Demokratike ka fituar vetëm 4 deputetë ndërsa kundërshtari socialist, 12.  Ky qark nga demokratët do të çojë në Kuvendin e ri, Gazment Bardhin, Luan Baçin, Eduart Sharkën dhe Brunilda Haxhian nga aleatët e tyre të Partisë së Lirisë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë