Me marrjen e dritës jeshile për kalimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri, qeveria u vunë në lëvizje për të hartuar master planin e gazifikimit të vendit. Plani u përmbyll në vitin 2016-të edhe me ndihmën financiare të Bashkimit Europian. Për këtë qëllim i krijua edhe shoqëria Albgaz.
Plani parashikonte që punimet për shtrimin e tubacionit për gazifikimin e vendit të nisnin që në 2019-n dhe brenda dy dekadash deri 70 për qind e konsumatorëve të energjisë të ishin të lidhur me rrjetin e gazit, përfshirë këtu edhe konsumatorët e mëdhenj, si rafineritë dhe TEC-i i Vlorës dhe familjarët.
Masterplani rekomandon që për të pasur sukses në zgjerimin e konsumatorëve, paralelisht me investimet në rrjet duhet të ketë edhe rregullore të veçanta administrative, duke filluar që nga detyrimi për të instaluar pajisjet e gazit natyror në ndërtesat e reja, që aktualisht mbetet fakultative për ndërtuesit.
Kostoja totale e projektit është përllogaritur nga Enti Rregullator i Energjisë në rreth 4 miliardë euro, ose thuajse një e treta e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, kostoja nuk është problemi i vetëm.
Sa i vështirë rrjeti i brendshëm
Problematikat e tjera që identifikohen në master planin për gazifikimin janë edhe më teknike dhe të vështira për t’u zgjidhur. Në Shqipëri, ekzistojnë ende disa tubacione gazi, nga Durrësi deri në Delvinë. Ky rrjet tubacionesh ka një gjatësi prej rreth 500 kilometrash dhe lidh të gjithë vendburimet e dikurshme prodhuese të gazit në Povelçë, Divjakë, Frakull, Panaja dhe Delvinë me konsumatorët në Fier, Vlorë, Elbasan, Lushnje, Ballsh dhe Durrës.

Problemi është se kjo infrastruktura është vetëm në letër. Në pjesën më të madhe të saj ajo nuk është funksionale, ndërsa në pjesët e tjera është jashtë standardeve të reja të transmetimit të gazit. Gjithashtu, këto tubacione shpesh nuk ndjekin rrugën më të shkurtër drejt qendrave të konsumit.
Si shembull, tubacionet ekzistuese të gazit Frakull-Fier, Cakran-Ballsh, Povelçë-Fier për shkak të lëvizjeve të popullsisë nuk shkojnë në drejtim të njësive administrative që kanë konsum të madh të gazit.
Tubacioni Divjakë-Fier, seksioni Divjakë-Bubullimë nuk korrespondojnë me konfigurimin e sistemit. Rruga më e shkurtër e një tubacioni nga Fieri (pika e lidhjes me TAP-in) në Tiranë nuk kalon nëpërmjet Divjakës.
Tubacioni Fier – Elbasan është i dëmtuar dhe praktikisht i papërdorshëm. Korridori ekzistues u mor në konsideratë, por në fund u zgjodh rruga më e shkurtër për të arritur konsumatorët potencialë në Lushnje dhe Elbasan, dhe vendndodhjen e mundshme të hapësirave depozituese nëntokësore në Dumre. Rruga e gazsjellësit ndjek tubacionin ekzistues më pas nga Shalësi në Cërrik për një gjatësi rreth 7 kilometra.
Tubacioni Fier – Vlorë është shumë i vjetër, diametri është i papërshtatshëm dhe shumë seksione të këtij tubacioni mungojnë. Rehabilitimi nënkupton ndërtimin e një tubacioni të ri mbi korridorin ekzistues. Korridori u mor në konsideratë, por një rrugë tjetër më e përshtatshme sugjerohet në masterplan duke pasur parasysh popullatën dhe zhvillimet e reja të infrastrukturës. Rruga e gazsjellësit ndjek korridorin e tubacionit ekzistues nga pika në afërsi të fshatit Levan në Novoselë në një gjatësi prej 3.5 km, si dhe nga Alibani në Skrofotinë në një gjatësi prej 4 km.
Tubacioni Fier – Ballsh vlerësohet të jetë në gjendje të mirë. Megjithatë, tubacioni ekzistues nuk është përfshirë në sistemin e transmetimit, pasi ai nuk plotëson kërkesat dhe standardet e sigurisë (p.sh. distanca nga ndërtesat e banuara).
Projekti i ri sugjeron që linja të ndjekë pak a shumë korridorin ekzistues për rreth 11.5 km. Në seksionet pranë vendbanimeve të Portëzës (3.5 km), Criqit (1 km), Visokës (4 km) dhe në seksionet pranë qytetit të Ballshit (3 km)
Tubacioni Ballsh – Delvinë është kryesisht një tubacion i vjetër me diametra të ndryshme të seksioneve të cilat nuk plotësojnë nevojat e planifikuara të konsumit të gazit. Korridori nuk përmbush standardet europiane të sigurisë (p.sh. distanca nga ndërtesat e banuara). Projekti i ri sugjeron që rruga e gazsjellësit të ndjekë korridorin e tubacioneve ekzistuese të gazit pranë Ballshit në një gjatësi prej rreth 0.6 km, pranë Bejarit për 8 km, nga Toçi në Qesarit për 6.7 km, për 21.5 km nga Memailaj deri në afërsi të Gjirokastrës vetëm me disa divergjenca të vogla në afërsi të Tepelenës dhe nga Prongji të Vergo në një gjatësi prej 12 km.
Për sa i përket rrjeteve të shpërndarjes së gazit nëpër qytete ekziston një studimim për qytetet e Tiranës dhe Elbasanit. Aktualisht, nuk ka rrjete ekzistuese të shpërndarjes së gazit brenda qyteteve në Shqipëri, me përjashtim të tubacioneve ekzistuese për konsumatorët e mëdhenj.

Për qytetet e Fierit, Kuçovës dhe Korçës është parashikuar që furnizimi i tyre me gaz të bëhet direkt nga TAP-i. Kjo është parashikuar në planin kombëtar sektorial për projektin TAP. Me përparësi në gazifikimin e vendit trajtohen konsumatorët e mëdhenj industrialë, apo objektet e mëdha publike dhe të shërbimit, si qendrat e mëdha tregtare përgjatë rrugës së tubacioneve dhe më pas të arrijë të konsumatorët e tjerë më të vegjël.
Statusi i Shqipërisë
Shqipëria, së bashku me Malin e Zi dhe Kosovën, janë sot të vetmet vende në Europë, që nuk janë të lidhur me rrjetet ndërkombëtare të transmetimit të gazit dhe në ndryshim nga këto vende ka një rrjet krejtësisht të izoluar të sistemit të shpërndarjes së gazit.
Në krahasim me Malin e Zi dhe Kosovën, Shqipëria ka avantazhin që përmes territorit të vet i kalon TAP-i. Megjithatë, në të kaluarën vendi ynë ka pasur një sektor të rëndësishëm të gazit, si prodhimi ashtu edhe transmetimi. Por, tashmë ky sektor pothuajse nuk ekziston. Prodhimi i gazit në Shqipëri ka rënë nga 1 miliard metër/kub në vitin 1982 në 1 milion metër/kub.
Aktiviteti i mbetur i gazit në Shqipëri është mjaft i vogël dhe i përqendruar në pjesën jugore të vendit. Deri para mbylljes me gaz furnizohej edhe rafinerie e naftës në Ballsh, ndërsa sot furnizohet ajo në Fier nga burime të kufizuara të gazit të prodhuar në fushat e Divjakës dhe Frakullës dhe nga gazi shoqërues në fushat e naftës afër Ballshit.
Industri të tjera si uzina e plehrave kimike në Fier, që ishte një konsumatore e madhe e gazit natyror në vitet ;70, janë mbyllur prej kohës, ose kanë reduktuar në minimum aktivitetin e tyre e për rrjedhojë edhe nevojën për gaz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



