Avokati i Popullit ka nisur një hetim për gazin e përdorur ndaj protestuesve ditën e shtunë, në tubimin përpara Kryeministrisë.
Shumë persona patën shqetësime serioze nga gazi, probleme që u shoqëruan me djegie të syve, humbje të përqëndrimit dhe të vjella. Partia Demokratike ka akuzuar se atë ditë janë përdorur lëndë të paligjshme.
Në një deklaratë, institucioni i Avokatit të Popullit thotë se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.
“Nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës”, sqaron Avokati i Popullit.
Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit.
Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.
Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.
Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.
Po ashtu, AP ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.
Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




