Gazeta Si – “Korrespondentja e luftës e Channel One, Anna Prokofieva, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës së saj profesionale, në rajonin e Belgorodit, në kufi me Ukrainën”.
Me këto pak rreshta, mëngjesin e kësaj të mërkure, televizioni rus njoftoi ndarjen nga jeta të gazetares së tij.
Makina në të cilën po udhëtonte Prokofieva, 35 vjeçe, shpërtheu në një minë. Kameraman Dmitry Volkov, i cili ishte me të, u plagos. Gazetarja kishte një diplomë në gazetari nga Universiteti Rudn në Moskë dhe fliste rrjedhshëm spanjisht.
Ajo punoi në ekipin editorial të edicionit spanjoll të agjencisë “Rossiya Segodnya” (“Sputnik” që nga viti 2014 dhe në pronësi të shtetit), nga shtatori 2020 deri në nëntor 2022.
Ajo drejtoi një blog në Telegram për të mbledhur ndihma humanitare dhe pas shkarkimit të saj nga “Sputnik” u transferua në “NVO Media” dhe më pas filloi të punojë me “Channel One”.
Që nga viti 2023, ajo ishte korrespondente lufte për “Channel One” që transmetonte nga zona e operacioneve speciale ushtarake.
Vdekja e Prokofievës u raportua në mediat ruse drejtpërdrejt nga nëna e gazetares, e cila së shpejti do të mbushte 36 vjeçe.
Rajoni jugor rus i Belgorodit, ka qenë subjekt i aksioneve të shpeshta me dron dhe granatime nga Ukraina me raporte të pakonfirmuara për luftime tokësore gjatë tërheqjes së Ukrainës nga Kursku, një rajon tjetër rus në kufi me Ukrainën.
Në fillim të kësaj jave, një sulm artilerie vrau gjashtë persona, përfshirë dy gazetarë rusë dhe shoferin e tyre, të cilët ishin në një mision në pjesët e kontrolluara nga Moska të rajonit Luhansk të Ukrainës lindore, thanë autoritetet ruse dhe mediat.
Gati 20 punonjës të medias janë vrarë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, tregojnë të dhënat e ofruara nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Kremlini shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e Anna Prokofieva-s. “Një tjetër humbje mes gazetarëve. Ngushëllimet tona shkojnë kryesisht për familjen e Anna-s dhe gjithë stafin e Channel One”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.