Gazeta “SI”- Bota e mediave po ndryshon rrënjësisht. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute për trendet globale, modeli tradicional i gazetarisë, i ndërtuar mbi klikime, SEO dhe motorët e kërkimit, po mbyllet , jo sepse publiku nuk kërkon informacion, por sepse rrugët përmes të cilave ky informacion shpërndahej nuk funksionojnë më si dikur.
Google nuk është më dera e audiencës
Botuesit e lajmeve parashikojnë një rënie dramatike. Trafiku nga motorët e kërkimit, kryesisht Google, pritet të ulet rreth 43% në tre vitet e ardhshme. Dhe ky nuk është një parashikim abstrakt. Tashmë trafiku global nga Google Search ka rënë me 33%, ndërsa Google Discover ka humbur mbi 20% të audiencës.
Për dekada me radhë, mediat kanë ndërtuar përmbajtjen e tyre mbi pëlqimet dhe algoritmet: tituj klik-bait, lajme të shpejta, artikuj “SEO-friendly”. Sot, Google dhe AI po japin përgjigjen direkt tek përdoruesi, duke shmangur artikujt origjinalë. Me fjalë të tjera: lajmi është aty, por klikimi nuk është më i garantuar.
Çfarë nuk mund ta zëvendësojë AI
Raporti zbulon se drejtuesit e mediave në 51 vende po riorientojnë investimet. Më shumë në gazetari investigative, raportim në terren, analiza kontekstuale dhe histori njerëzore; më pak në lajme rutinë dhe përmbajtje të përgjithshme. Mesazhi është i qartë: AI mund të prodhojë informacion, por nuk mund të japë kuptim, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
YouTube po merr fronin
Një tjetër trend i rëndësishëm është ndryshimi i platformave. YouTube nuk shihet më si rrjet social, por si “televizioni i ri” i medias. Për vitin 2026, shumica e botuesve planifikojnë të investojnë më shumë në këtë platformë sesa në çdo tjetër. Pas saj vijnë TikTok dhe Instagram, ndërsa SEO, Facebook dhe X (ish-Twitter) po humbin rëndësi. Publiku sot kërkon jo thjesht informacion, por zë, fytyrë dhe lidhje personale.

AI nuk është shpëtimi financiar
Pavarësisht entuziazmit për inteligjencën artificiale, shumica e mediave nuk e shohin atë si burim të qëndrueshëm të ardhurash. Vetëm rreth 20% e drejtuesve presin të ardhura të konsiderueshme nga marrëveshjet me platformat e AI; pjesa tjetër pret fitime minimale ose aspak. Në fakt, AI shpesh kërkon investime të reja, role teknike dhe rritje kostosh operative.
Pra, AI nuk po i jep zgjidhje krizës ekonomike të medias; thjesht po e zhvendos atë.
Gazetaria që mbetet e pazëvendësueshme
Në një kohë ku informacioni gjenerohet automatikisht, ajo që mbetet e pazëvendësueshme është gazetaria e terrenit që pyet, lidh faktet dhe flet me emër dhe përgjegjësi. Në fakt po ndodh ajo që e ndan gazetarinë nga zhurma.
Në fund, raporti i Reuters Institute paralajmëron se e ardhmja e medias nuk është në AI, por zëri dhe fytyra njerëzore që sjell kuptim dhe përmbajtje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



