Efektivët italianë që ndihmuan në Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit flasin me fjalët më të mira për popullin shqiptar, por kur vjen puna tek strukturat shtetërore që ka ngritur ky popull për emergjencat civile kanë një tjetër mendim.
Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një reportazh të gjatë tërmetit, ku nuk i kursen kritikat për autoritetet dhe mënyrën si është ndërtuar shteti ynë. Që në krye të shkrimit thuhet se tërmeti në Shqipëri nxori në pah abuzimin e korrupsionin me ndërtime pa leje dhe ku mungojnë deri tek hartat kadastrale të ndërtesave. Me frazën shqip, “shto ujë e shto miell” autori i shkrimit, gazetari Pierfrancesco Curzi ilustron se si janë ndërtuar një pjesë e pallateve në shqipëri.
“Shto ujë shto miell. Për të përgatitur byrekun, të shijshmin gatim tipik të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Por, sasia e ujit dhe miellit është e përcaktuar, sepse përndryshe ka pasoja”, krahason ai në shkrim.
E në rastin e pallateve pasojat nuk janë një byrek pa shije, por pasoja tragjike. Por, gazeta thotë se kjo thënie shqiptare përkthen në perfeksion mënyrën se si janë realizuar pjesa më e madhe e ndërtesave në vendin tonë, pas rënies së komunizmi.
Sot Tirana është afërsisht një milion banorë, një e treta e popullsisë shqiptare, një vend që shtrihet në 28 mijë kilometra katrorë. Që nga fillimi i viteve ’90 territori i kryeqytetit u zgjerua duke marrë hapësirë me një periferi të çrregullt dhe estetikisht e shëmtuar. Bërthama e ndërtesave, që shkojnë deri në 15 kate të larta, pa asnjë urbanizim, të dizajnuar nga inxhinierë dhe arkitektë me pak shije e prirje për estetikën.
Të tjerët e ndërtojnë shtëpinë hap pas hapi. Marrim si shembull ndërtesën e shembur shumë pak larg qendrës së Durrësit dhe e cila varrosi nën të 9 vetë (vila e familjes Lala në ish-Kënetë). Gazetari shkruan se ka dyshime se ndërtesa kishte themelet vetëm për një kat, por asaj iu vu pesha e tre kateve të tjera, peshë që themelet nuk e mbajtën pas tërmetit të së martës.
Jo vetëm kaq. Media italiane thotë se edhe përpjekjet për ndihmë kanë nxjerrë në pah të meta organizative domethënëse, që po të mos ishte për ndërhyrjen e e grupeve të huaja të emergjencës, me siguri në Shqipëri do të ishte gërmuar me dorë, ose me lopata.
“Zakonisht, përpara se të fillojmë një ndërhyrje për të rikuperuar njerëzit nga rrënojat, teknikët tanë kontaktojnë ata të bashkive për të marrë dokumentet kadastralë të ndërtesave të shembura. Të gjitha këto duhen për të marrë një ide se si është bërë shtëpia, ku mund të gjenden njerëzit etj. Por ata na u përgjigjën se nuk kanë dokumente kadastrale për ndërtesën dhe se duhet të hamendësonim se ku mund të ishin të mbijetuarit” – citon gazeta një anëtar të grupit italian të emergjencave që u angazhuan në nxjerrjen e viktimave në vilën e familjes Lala në zonën e ish-Kënetës.
“Sot të vdekurit po vajtojnë, por tragjedia është shembulli klasik i ndërtimit pa kriter dhe pa kontroll. Dy hotelet që u rrëzuan në Golem, përgjatë bregdetit të Durrësit, fatmirësisht ishin gjysmë të zbrazët. Viktimat do të ishin me dhjetëra në mes të verës. Unë e di historinë e atyre hoteleve, veçanërisht të Villa Palma, dhe këmbënguljen me çdo kusht të pronarëve për ta kthyer nga një ndërtesë banimi normale në një hotel të madh, jashtë rregullave. Askush nuk kontrolloi, askush nuk bëri veto dhe pasojat ishin të dhimbshme”, citon gazeta Irvi Hyka, profesore në Universitetin e Durrësit.
Gazeta italiane shkruan se Shqipëria është një vend i ri, me një moshë mesatare shumë të ulët, të pasqyruar dhe në një rritje të dukshme ekonomike. Pikërisht ky lulëzim i “mundësive” ka tërhequr shumë italianë që kërkojnë që të ndryshojnë jetën e tyre. Paolo Piçi para se të linte Italianë për t’u shpërngulur në Tiranë, u martua me një vajzë shqiptare që e kishte njohur në Itali dhe në vitin 2013 u transferua në këtu.
“Miti i Shqipërisë si një tokë e mundësive të lira është i gabuar. Shumë bashkëkombës kanë hyrë me këtë ide dhe kanë dalë keq. Një shembull është kanali televiziv Agon Channel, i hapur nga sipërmarrësi italian Francesco Beçhetti në verën e 2015 dhe u mbyll 15 muaj më vonë. Italianët, duhet të kuptojnë që Shqipëria është një vend kompleks , ku nuk ka struktura sociale, bashkim, kontratat janë të paqëndrueshme. Kujdesi shëndetësor është një privilegj për ata që kanë. Nëse keni nevojë për një shtrat spitalor dhe kujdes cilësor duhet të paguani dhe jo të gjithë mund ta përballojnë. Por është gjithashtu një vend mikpritës, i sigurt, ku vandalizmi dhe krimi nuk ekzistojnë, edhe pse nuk ka respekt për qytetarinë dhe gjen mbeturina në parkim. Në 13 vjet kam parë që Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht në nivelin e infrastrukturës, ndërtohen rrugë të reja, janë krijuar porte dhe aeroporte të reja” – thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.