Gjyqtarja ngre supet përpara se ta shprehë habinë e saj me zë. “Përse zgjodhe lekët nën dorë dhe jo gjobën?” pyet më pas gjykata të arrestuarin që ka dalë para saj për masë sigurie personale. Gjykata kërkon të kuptojë, ndaj dhe vazhdon pyetjet: “Ç’është kjo traditë për t’i zgjidhur gjërat shpejt e shpejt? Gjoba ishte 3 mijë lekë, ti deshe t’i japësh policit dy mijë lekë nën dorë… për 1 mijë lekë, kishe paguar gjobën për shkeljen dhe…”
Albert Allkoçi, nën akuzë për korrupsion aktiv, sepse tentoi të korruptonte një polic nxiton dhe përgjigjet nga kafazi: “Nxitoja zonja gjyqtare … nuk kisha kohë të shkoja të paguaja më pas gjobën që do më vendoste Policia Rrugore”.
Por, 47-vjeçari nga Tirana nuk kishte asnjë ngut. Ai është i papunë dhe pasi ka pirë kafe, po kthehej në shtëpi siç mund të kthehet me qetësi një njeri që nuk ka asnjë plan dhe asnjë agjendë. Prokurori, nga ana e tij, radhit provat dhe deklaron se Albert Allkoçi po qarkullonte me makinë kur një pikë kontrolli e policisë së kryeqytetit e konstatoi shoferin që nuk kishte vendosur rripin e sigurisë.
“Kur policët i kërkuan dokumentet, shtoi prokurori, ai vendosi mes tyre një 2 mijë lekësh, dhe menjëherë pas këtij veprimi pasi tentoi t’i korruptonte policët ai u arrestua në kushtet e flagrancës”, shton prokurori duke lexuar provat mbi tavolinë.
I pyetur disa herë nga gjyqtarja se përse e bëri këtë veprim në fund 47-vjeçari dorëzohet dhe ripohon: “Po nxitoja, nuk kisha kohë të paguaja më pas gjobën…”. Por, përpjekjet e shoferëve të dehur apo esëll duke dhënë nën dorë policëve nga 2 mijë deri në pesë mijë lekë janë evidente edhe nga dhjetëra pamje të publikuara nga Policia e Shtetit në përpjekje për të sensibilizuar qytetarët që të mos kryejnë korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë.
Policia Rrugore pohon se shpesh ka shpërndarë video për publikun në të cilat dallohen me zë e figurë qytetarë që rreken të paguajnë ndonjë lekë nën dorë. Për një tentativë të tillë që kodi e njeh si korrupsion aktiv, gjatë këtyre muajve në kryeqytet u prangosën menjëherë shtatë drejtues mjetesh, të cilët më pas ndeshen me gjykatën dhe në fund marrin vendim fajësie.
Avokati Adriatik Lapaj tregon për Gazetën “Si” se korrupsioni është një monedhë me dy faqe ku njëra palë korrupton dhe tjetra korruptohet. “Më e rëndësishmja është që njerëzit e mendojnë si formulë që mbarojnë punë shpejt në të gjithë administratën, sepse perceptimi është administrata të sorollat nëse nuk paguan. E dyta, në shumë çështje që më vijnë mua, njerëzit pyesin, a bëjmë gjë me prokurorin dhe gjyqtarin në çështje, pasi ata janë të bindur se po nuk paguan, do ta bëjë dikush tjetër. Qytetarët e kanë bindje që sistemi korruptohet dhe përpjekja është kush të korruptojë i pari. Ky është problem i moralit shoqëror, njerëzit janë kthyer pragmatistë, shoqëria e ka të vështirë të ndalet dhe të mendojë cila është e drejta. Secili rend dhe vrapon për të mbaruar punë. Dhe në këtë mes, institucionet nuk bëjnë punën që duhet bërë në fakt. Kjo gjë dëmton së pari vetë qytetarët. Më tej, duke e mësuar sistemin në këtë mënyrë që nga shëndetësia e të tjera, ata rrisin kostot. Sepse kjo është një gropë që nuk mbushet dhe në këtë panoramë është shumë e vështirë për një profesionist që të punojë ndershëm”, thotë avokati.
Por, ndërsa qytetarët paguajnë në dorë me shumë gjasë ngado, shifrat e atyre që fusin në xhep para për të ofruar një shërbim janë të ulëta krahasuar me perceptimin, por edhe me deklaratat se shumë paguajnë për të marrë një shërbim mjekësor në spitale dhe në administratë.
Në raportimin vjetor mbi kriminalitetin për vitin 2018, Prokuroria e Përgjithshme raportoi se 33 qytetarë kishin përfunduar në akuzë për korrupsion aktiv, pra qytetarë që kishin tentuar t’i jepnin para një punonjësi shtetëror (kryesisht policë rrugorë). Shifra ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2017, ku sipas raportit të këtij viti 109 përfunduan nën akuzë për një tentativë të tillë.
Por çfarë ndodh me korrupsionin pasiv? Pra, me zyrtarët që marrin ryshfet për të kryer një shërbim? Më të kritikuarit janë gjyqtarët dhe prokurorët, ndaj për këtë shkak drejtësia iu nënshtrua rivlerësimit të trefishtë prej nga ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për shkak të pasurive të pajustifikuara. Më poshtë, tabela në vite për hetimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda gjendet nën gjykim për dyshimet e korrupsionit (pasi kërkoi favore seksuale në shkëmbim të një vendimi) gjyqtari i Fierit, Roland Hysi si edhe një psikologe. Por, çështja më e bujshme është ajo e gjyqtarëve të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri, Petrit Ceno, edhe ata nën akuzë për korrupsion aktiv të gjyqtarëve e prokurorëve, pasi në shkëmbim të një vendimi dyshohet se kishin udhëtuar drejt Spanjës për të parë ndeshjen EL Classico të Barcelonës me Real Madridin. Të tjerë gjyqtarë që kanë marrë fajësinë e Krimeve të Rënda janë edhe ish-gjyqtari i Tiranës, Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri, ish-prokurori i Krujës, Haxhi Giu apo ish-gjyqtarja e Lartë, Majlinda Andrea. Por, hetimi i Prokurorisë për korrupsionin në nivele të larta apo edhe vendimet e gjykatës janë në nivele të ulëta, ndërsa perceptimi i publikut është se “korrupsioni në vend ka kapur majat”. Për sa i përket luftës ndaj korrupsionit, por edhe ndaj krimit të organizuar, tashmë pritshmëritë janë zhvendosur te Prokuroria e Posaçme, SPAK, e cila pritet të funksionojë së shpejti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.