Jete & Stil

Gati 1.8 miliardë të rritur janë në rrezik të sëmundjeve për shkak të mungesës së aktivitetit fizik

Të dhënat e reja tregojnë se gati një e treta (31%) e të rriturve në mbarë botën, afërsisht 1.8 miliardë njerëz, nuk i përmbushën nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik në vitin 2022. Gjetjet tregojnë për një tendencë shqetësuese të pasivitetit fizik tek të rriturit, i cili është rritur midis 2010 dhe 2022.

Nëse trendi vazhdon, nivelet e pasivitetit parashikohen të rriten më tej në 35% deri në vitin 2030 dhe bota aktualisht është larg objektivit global për të reduktuar pasivitetin fizik deri në vitin 2030. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që të rriturit të kenë 150 minuta aktivitet me intensitet mesatar, ose 75 minuta aktivitet fizik me intensitet të fortë në javë. Pasiviteti fizik i vë të rriturit në rrezik më të madh të sëmundjeve kardiovaskulare si sulmet në zemër dhe goditjet në tru, diabeti i tipit 2, demenca dhe kanceret si gjiri dhe zorra e trashë.

Studimi u ndërmor nga studiues nga OBSH së bashku me kolegë akademikë dhe u botua në revistën The Lancet Global Health.

“Këto gjetje të reja theksojnë një mundësi të humbur për të reduktuar kancerin dhe sëmundjet e zemrës dhe për të përmirësuar mirëqenien mendore përmes rritjes së aktivitetit fizik”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

Shqetësuese mbeten pabarazitë ndërmjet gjinisë dhe moshës. Mungesa e aktivitetit fizik është akoma më i zakonshëm tek gratë në nivel global krahasuar me meshkujt, me përqindje të pasivitetit prej 34% krahasuar me 29%. Në disa vende, kjo diferencë është deri në 20 pikë. Përveç kësaj, njerëzit mbi 60 vjec janë më pak aktivë se të rriturit e tjerë, duke nënvizuar rëndësinë e promovimit të aktivitetit fizik për të rriturit e moshuar.

“Mungesa e aktivitetit fizik është një kërcënim i heshtur për shëndetin global, duke kontribuar ndjeshëm në barrën e sëmundjeve kronike”, tha Dr Rudiger Krech, Drejtor i Promovimit të Shëndetit në OBSH.

“Ne duhet të gjejmë mënyra novatore për të motivuar njerëzit që të jenë më aktivë, duke marrë parasysh faktorë si mosha, mjedisi dhe prejardhja kulturore. Duke e bërë aktivitetin fizik të aksesueshëm, të përballueshëm dhe të këndshëm për të gjithë, ne mund të reduktojmë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme dhe të krijojmë një popullsi më të shëndetshme dhe më produktive.”

Pavarësisht rezultateve shqetësuese, ka disa shenja përmirësimi në disa vende. Studimi tregoi se pothuajse gjysma e vendeve të botës kanë bërë disa përmirësime gjatë dekadës së fundit dhe 22 vende u identifikuan si të mundshme për të arritur objektivin global të reduktimit të pasivitetit me 15% deri në vitin 2030, nëse trendi i tyre vazhdon me të njëjtin ritëm.

Në dritën e këtyre gjetjeve, OBSH po u bën thirrje vendeve që të forcojnë zbatimin e politikave të tyre për të promovuar dhe mundësuar aktivitetin fizik nëpërmjet sportit bazë dhe komunitetit, argëtimit dhe transportit aktiv ndër masa të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë