Lajme

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, edhe dy kandidatë të rinj

Prokurorja Fatjona Memçaj është kandidatja e dytë që ka depozituar kërkesën pranë KLP për të kandiduar për Prokurore të Përgjithshme. Po ashtu, ka depozituar kërkesën pranë KLP avokati Lulzim Alushaj.
Deri më tani, ka shpallur kandidaturën prokurori Olsian Çela. Ai e dorëzoi një javë më parë kandidaturën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gara për Prokuror të Përgjithshëm është hapur më 19 mars, pasi u miratua rregullorja mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve.
Kushtetuta e Shqipërisë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm parashikon një procedurë të veçantë që e detyron Kuvendin të zgjedhë drejtuesin e ri të Organit Qendror të Akuzës brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Më pas Këshilli, brenda 45 ditëve do të bëjë vlerësimin e tij mbi plotësimin e kushteve nga ana e kandidatëve si dhe do të zhvillojë seanca dëgjimore me ta.
Sipas Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave. KLP i dërgon parlamentit tre kandidatura të renditura sipas vlerësimit që kanë marrë.
Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë