Rend dhe Ligj

Gara për postin e drejtorit të BKH, Aida Hajnaj përjashtohet nga rikandidimi

Gazeta Si – Aida Hajnaj nuk do të ketë një mundësi të dytë rikandimi në krye të BKH për shkak se nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes deri më 7 maj.

Për pasojë, Hajnaj u përjashtua nga e drejta për rikandidim dhe në një njoftim, SPAK thotë se ka rihapur garën për kandidaturat e tjera, të cilët do t’i nënshtrohen disa procedurave.

Procesi i riemërimit do të kryehet duke kaluar në 7 faza, testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, ese me shkrim, intervistë dhe verifikim i figurës, deklarimi i aseteve dhe testi i poligrafit.

Të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptarë, të cilët gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret e vendosura.

“Znj. Hajnaj nuk do t’i nënshtrohet procedurës së riemërimit, pavarësisht shfaqjes së interesit për një mandat të dytë, pasi Znj. Hajnaj nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar nga Komisioni i Përzgjedhjes (7 maj). Mosdorëzimi i dokumentacionit mbyll procedurën e mëtejshme te riemërimit’, thuhet në njoftim.

Vetë Hajnaj kishte shprehur që më 28 mars interesin për një tjetër mandat 5-vjeçar, pasi më 31 gusht mandati i drejtores aktuale të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundon. Hajnaj drejton institucuonin e Byrosë Kombëtare të Hetimit prej 5 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë