Nga Gazeta Si - Plot një muaj pas mbylljes së garës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ministria e Kulturës priti kandidatët në sallën “Tefta Tashko”, duke bërë në këtë formë edhe të ditur emrat e tyre publikisht përmes prezantimit të pikave kyçe të platformave.
Pretendentët finalistë janë Adela Muçollari, Abigela Voshtina, Josif Gjipali, Kleanthi Gjika, Arben Skënderi, Tomorr Kokona dhe Zana Çela. Ndërsa u bënë me dije edhe emrat e Komisionit për vlerësimin e kandidatëve, që udhëhiqen nga zv. ministrja Meri Kumbe, dy drejtorë të Ministrisë së Kulturës Elira Dani dhe Arian Avrazi si dhe dy artistë si ekspertë të jashtëm, Luigi Ferrari dhe Gintatutas Kevisas.
Bie në sy fakti që asnjë prej tyre nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me institucionin e TKOB.
Për tenorin e TKOB, Rudi Sata ky konkurs do të jetë show i radhës dhe me shumë gjasa emri që do drejtojë institucionin e Operës në 4 vitet e ardhshme do të jetë politik.
“Ky konkurs është qoka apo show i radhës së Elva Margaritit dhe stafit të saj. Do emërohet apo do garohet? Aty nuk ka konkurs siç këta duan ta shesin. Ky komision është një instrument në duart e ministres dhe rrjedhimisht që do kemi një produkt politik”, shprehet Sata për Gazetën “Si”.
Sipas tij, në këtë komision duhet të kishte dhe nga trupa artistike e TKOBAP.
“A është i pavarur ky komision? Pse nuk ka në këtë komision një përfaqësim nga trupa artistike? Pse Ministria e Kulturës nuk e bën të hapur (live) këtë konkurrim?”, vijon Sata.
Për ish-regjisorin e Operës, Nikolin Gurakuqi në garën e tanishme për drejtor të Operës është koha më mirë që t’u jepet hapësirë profesionistëve me frymë perëndimore.
“Jam për kandidaturën e Josif Gjipalit sepse ai ka shkelur të gjithë teatrot e famshëm në botë, e do sjellë frymë teatri europian që funksionon me rregulla e ligje e jo me dëshira personale”, shprehet Gurakuqi për Gazetën “Si”, ndërsa hedh kritika për drejtoren aktuale, Zana Çela, e cila rikandidon për mandat të tretë, pasi sipas tij “e ka kthyer Teatrin e Operës në çiflig personal”. Sipas tij nuk ka rast në botë që një drejtor opere të zgjidhet për herë të tretë në një post.
Tenori Josif Gjipali ripropozon kandidaturën e tij pas gjashtë vitesh me synimin për të rritur cilësinë artistike, për të pasur konkurse të hapura e për të shtuar buxhetin. Ai konsideron se ajo çka do ta ndihmojë për të çuar përpara projektin e tij është edhe fakti se është një njohës i mirë i “Operës” dhe se do të punojë edhe për të ndryshuar sistemin e kontratave aktuale që ai i konsideron si fiktive dhe jofunksionale.
Të tjerë në garë janë primabalerina Adela Muçollari, koreografi Tomorr Kokona, violinistja Abigela Voshtina.
Prima balerina Adela Muçollari ka paraqitur një platforme ambicioze dhe gjithëpërfshirësë që synon modernizimin e TKOB nën shembullin e teatrove më të suksesshme në Europë.
Koreografi Tomorr Kokona vjen me synimin për të çuar më tej trashëgiminë që i lanë mjeshtrit e baletit si Agron Aliaj.
Arben Skënderi synon të çojë më tej frymën e vizionit personal mbi artin dhe kulturën në Shqipëri.
Ndërsa violinistja Abigela Voshtina i mëshon ndër të tjera mungesës së një sezoni dy-vjeçar të Operas, si dhe bashkëpunimit edhe me Bashkinë e Tiranës.
Disa nga objektivat e Zana Çelës janë zvogëlimi i varësisë nga buxheti i shtetit, avancimi i strategjisë së marketingut dhe trajnimi i artistëve të rinj.
Ndërkohë, pas përzgjedhjes së finalistëve nga komisioni, do të kuptohet në ditët në vijim nëse do ta ketë kryeministri Rama fjalën e fundit për emrin që do të drejtojë për një mandat 4-vjeçar “Operën”.
Ministria e Kulturës hapi garën për drejtuesin e ri të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më 29 mars dhe afti i vendosur më parë për aplikimet e kandidatëve ishte deri më 19 prill. Por më pas Ministria e Kulturës shkruante në faqen e saj se duke marrë shkas nga kërkesat e vazhdueshme për informacion, për të gjithë të interesuarit, afati i aplikimit për pozicionin drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shtyhej deri në datën 6 maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.