Politike

Komisioni i Medias nis procedurat për shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH. Kallëzim penal dhe hetime në SPAK për korrupsion

Nga Gazeta ‘Si’ – Opozita dhe maxhoranca në Komisionin e Medias kanë rënë dakord me vendimmarrje unanime të nisin procedurat për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Mësohet se një kallëzim penal tashmë është gati për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së, me qëllim që – siç thuhet – të hetimit dhe zbardhjes së të vërtetës me përdorimin e fondeve në RTSH.

Pas procedurave të cilësuara si të paligjshme në garën për zgjedhjet e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit dhe Evis Kushi, nënkryetarja socialiste, renditën shkeljet që ka bërë Këshilli Drejtues ndër vite dhe thanë se “rasti i fundit ishte “derdhja e kupës” për këtë institucion”.

Propozimi i Komisionit të Medias do t’i dërgohet kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila do ta dërgojë në seancë plenare për miratim.

“Nëse këshilli do zbatonte kompetencat e veta, kjo gjë do të ishte shmangur. Bazuar në nenin 115 të rregullores Kuvendit, ne ju ftojmë të vëmë në lëvizje këtë nen për shkarkim të anëtarëve me ligj.

Të miratojmë këtë raport për të vazhduar hapin e procedurës për të shkaktuar 9 anëtarët e ngelur të Këshillit Drejtues, kryetarin dhe 8 anëtarët. Të ndjekim procedurën ligjore dhe t’u japim të drejtën për t’u dëgjuar vetëm apo me avokat si të kenë dëshirë para këtij komisioni për t’i dhënë të drejtën dhe më pas për t’i shqyrtuar”, u shpreh ndër të tjera Ina Zhupa.

Anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH duke raportuar përpara Komisionit të Medias, në mbledhjen e kaluar

Ndërkohë, Kushi theksoi sipas saj, se nuk ka asnjë diskutim që gjatë garës për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm, Këshilli Drejtues në mënyrë të përsëritur ka shkelur të gjithë kuadrin ligjor.

“Dua të prezantoj qëndrimin e deputetëve të maxhorancës që nuk bazohet vetëm në një ngjarje por qëndrim i konsoliduar. Bazohet në të gjitha argumentet faktet provat dhe të gjitha elementët që i kemi të parashtruara në raport. Nuk ka asnjë diskutim që Këshilli Drejtues në mënyrë të përsëritur ka shkelur ligjin dhe statutin, gjithë kuadrin ligjor. Në mënyrë të përsëritur.

Ngjarja e fundit për zgjedhjen e drejtorit ishte pika e fundit që derdhi gotën. Për sa i takon rastit më të fundit siç e përmendët, nuk janë respektuar hapat e procedurës, janë skualifikuar kandidatë që plotësonin kriteret. Nuk është respektuar vota e fshehtë e të tjera.

Është e dokumentuar që shumë prej anëtarëve të këtij Këshilli janë në konflikt interesi”, u shpreh Kushi.

Komisioni i Medias ka hartuar edhe një Raport me shkeljet e konstatuara në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTSH.

U konstatuan 9 shkelje si më poshtë:
1-Nuk është zbatuar procedura për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH
2-Këshilli ka votuar të mos vazhdojnë garën kandidatë për mungesë dokumentacioni dhe jo mungesë kriteresh
3-Ka votuar për çdo kandidat për tu përfshirë ose jo në garë, ndërkohë që neni 11 kërkon që kandidatët që plotësojnë kriteret të votoheshin në një listë për përfshirjen e tyre në garë.
4-Këshilli nuk ka garantuar votimin e fshehtë (Mevlan Shanaj ka marrë pjesë në një mbledhje online)
5-Nuk është zbatuar neni 6 për kodin e sjelljes, ku përcaktohet se votimi për të tretët është shkelje e rëndë
6-Këshilli nuk ka miratuar një rregullore për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH
7-Nuk i është kërkuar asnjë nga kandidatëve dokumentet që vërtetojnë se nuk kanë qenë të lidhur me sigurimin e shtetit.
8-Janë kualifikuar kandidatë që nuk përmbushin kriteret dhe janë hequr nga gara kandidatë që përmbushnin kushtet.
9-RTSH ka bërë këto shkelje edhe më herët, në zgjedhjen e ish-drejtorit Alfred Peza


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë