Rend dhe Ligj

Gara për kreun e ri të policisë, mes 16 kandidatëve edhe 2 gra

Gazeta Si – Ministria e Brendshme ka publikuar listën zyrtare me kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Emrat janë bërë publikë në faqen zyrtare, ndërsa vihet re se mes aplikantëve janë dy gra.

Në garë janë dhe 4 drejtor qarqesh, Skënder Hita, Drejtor i Policisë Fier, Elidon Çela, Drejtor i Policisë Vlorë, Afrim Tafa, Drejtor i Policisë Durrës dhe Gentian Berberi, Drejtor i Policisë Shkodër.

Po ashtu është dhe Arjanit Arapi drejtor kufiri. Ndërsa nga akademia e sigurisë, konkurrojnë 6 kandidatë Alfred Çepe, Rebani Jaupi, Lorenc Panganika, Idejet Faskaj, Tonin Vocaj dhe Gentjan Shehaj.

Lista e plotë e aplikuesve: Afrim Tafa; Alfred Çepe; Arjanit Arapi; Ejona Gurbardhi; Elidon Çela; Gentian Berberi; Gentjan Shehaj; Idajet Faskaj; Lorenc Panganika; Neritan Nallbati; Pëllumb Seferi; Rebani Jaupi; Saimir Boshnjaku; Skënder Hita; Suela Sulkaj; Tonin Vocaj.

Pas vlerësimit të dosjeve me përgatitjen profesionale akademike, pastërtinë e figurës dhe pasurinë, kandidatët e vlerësuar sit ë përshtatshëm nga Komisioni i posaçëm i përbërë nga zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe kreu i AMP-së, Eduart Merkaj, do të intervistohen dhe do të vlerësohen me pikë.

Renditja në fund do ti dorëzohet ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili do t’i përcjellë kryeministrit Rama për të zgjedhur pasuesin e Ilir Prodës.

Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.

Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga. Përgjithësisht kandidatët në garë janë me karriere të gjatë në këtë fushë dhe që kanë mbajtur disa poste më herët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë