Gazeta Si – Ka nisur këtë të mërkurë seanca dëgjimore për 11 kandidatët që mbetën në garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Përpara një Komisioni të Posaçëm, Intervistat do të bëhen në bazë të rendit alfabetik, ku kandidatët do të shpalosin platformat e tyre.
I pari do të fillojë Adriatik Tafçiu dhe i fundit për intervistë do të jetë Skënder Hitaj, i cili mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë në Durrës.
Komisioni i Posaçëm i përbërë nga sekretarja e Ministrisë së Brendshme Suzana Hoxha, zëvendësministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani, do të dëgjojë platformën e 11 kandidatëve.
Më pas komisioni do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe lista përfundimtarë do t’i dërgohet Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Ky i fundit do të dërgojë një emër për miratim në Këshillin e Ministrave.
Gjatë raportimit të tij në kryesinë e Kuvendit, ministri tha se brenda javës do t’i dërgojë një emër konkret për propozim kryeministrit Rama për Drejtor të Përgjithshëm.
Nga 15 që u shpallën gjithsej zyrtarisht, në garë kanë mbetur 11 kandidatë, ndërsa 4 të tjerët, përkatësisht Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha dhe Hajrulla Xhivini janë skualifikuar, pasi nuk përmbushnin kriteret e pastërtisë së figurës.
Në garë janë: Adriatik Tafçiu, Altin Mena, Ardian Çipa, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Ilir Proda, Lutfi Minxhozi, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Skënder Hita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.