Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes një njoftimi publik, ka bërë me dijeni emrat e të gjithë kandidatëve që do të vijojnë garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Shtatë kandidatët që do të vijojnë garën për të qenë në krye të BKH-së janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Të skualifikuarit nga gara janë: Haki Çako, Astrit Halilaj, Marinela Pilinçi, Nevruz Ndregjoni, Maoricio Sheldija dhe Miklovan Kanani.
Si zhvillohet procedura për zgjedhjen e kreut të BKH-së? Sipas rregullores, do të ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.
Tek pika e fundit parashikohet dhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Altin Dumani do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe emri i kandidatit të përzgjedhur i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratimin e mandatit 5-vjeçar.
Aktualisht Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila i përfundon mandati më 31 gusht. Ajo nuk arriti të dorëzonte dokumentacionin brenda afatit të aplikimit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.