Gazeta Si – U përmbyll këtë të martë faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.
Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.
Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano; Joni Keta.
Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.
Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.
Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të renditë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.
Testi i ardhshëm, është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



