Rend dhe Ligj

Gara për drejtor policie në qarqe, ‘shefat e vjetër’ jashtë liste. Favoritët për Tiranën, Durrësin e Shkodrën

Gazeta Si- Pas përfundimit të pikëzimit, zbulohen disa prej emrave të rinj që mund të emërohen drejtues të disa prej drejtorive të qarqeve të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve në rrugë jo zrytare, bëhet me dije se në ditët në vijim pritet që Vilson Bala të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës.

Ndërkohë, emra që pritet të konfirmohen zyrtarisht janë, Elidon Çela në Berat, Fatmir Lleshaj në Durrës, zv.drejtori i Tiranës, Luigj Vathi në Lezhë, Elton Alushi, nga zv.drejtor në drejtor të Vlorës.

Ish-kandidati për drejtor të përgjithëm, Altin Mena pritet të emërohet në Elbasan. Ndërsa në Shkodër pritet zyrtarizimi i Gentian Berberit.

Ajo çka bie në sy në listën e pikëzimit, është fakti se 12 emrat që janë vlerësuar me më shumë pikë, janë kryesisht oficerë të rinj, të cilët nuk kanë pasur pozicione më parë drejtuese në radhët e unfiromave blu në qarqe të ndryshme të vendit.

Jashtë listës me 12 emra, kanë mbetur thuajse të gjithë drejtuesit aktualë të policisë në drejtoritë vendore.

Emra si Ermal Muça, Tonin Vocaj apo Gjovalin Loka e Skënder Hitaj janë renditur poshtë vendit të 12-të dhe pritet që këto ditë të ankimojnë procesin pranë komisionit.

Një ditë më parë, Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve në Policinë e Shtetit, publikoi listën dhe pikëzimin e kandidatëve për drejtor të Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit. Komisioni pasi dëgjoi platformat e secilit prej tyre.

Komisioni, renditi të parin Vilson Balën më 91 pikë dhe i fundit është renditur në vendin e 38-të Izet Hysa.

Në total ishin 38 kandidatë për 12 drejtoritë vendore të policisë. Ata do të përcaktohen mes 15 emrave të parë, pasi në rregulloren e policisë, thuhet se në garë janë të gjithë ata, të cilët marrin më shumë se 70 pikë.

Sipas ligjit konkurrentët kanë të drejtën e ankimimit brenda 2 ditësh nga momenti i publikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit të vendimit me vlerësimin përfundimtar të secilit.

Pas përfundimit të ankimimeve dhe shqyrtimit të tyre, pritet që e enjtja të jetë dita kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda të njoftojë edhe 12 emrat e drejtuesve në qarqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë