Ne rrjet

Gara e 8 favoritëve për Papën e ri: shanset e italianëve dhe filipinasi Tagle, por ‘spikat’ Prevost

Gazeta Si – Thuajse dy javë pas vdekjes së Papa Franceskut, kardinalët katolikë romanë janë mbledhur pasditen e kësaj të mërkure, 7 maj 2025, me misionin për të zgjedhur pasuesin e tij.

Ata do të izolohen nga bota deri sa zgjedhin njeriun, qe shpresojnë se do të bashkojë Kishën e përçarë globale.  

Në një proces që daton që prej kohërave të mesjetës, kardinalët do të mbyllen në kapelën Sistine të Vatikanit nën afresket e Mikelanxhelos, dhe duke shkëputur kontaktet me boten jashtë do të nisin Konklavën e fshehtë për Papën e ri.

Por asnjë Papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të konklavës për shekuj, kështu votimi mund të vazhdojë për disa ditë, deri sa një prej princave me kapele të kuqe të Kishës të sigurojë 2/3 e votave për t’u bërë Papa i 267.

Por kush janë kandidatët favoritë me fillimin e Konklavës, që pritet të zgjedhë Papën e ri pas vdekjes së Françeskut.

Bilancet dhe marrëveshjet (të mundshme) pas “Extra omnes”. Profilet e Parolin, Zuppi, Aveline, Prevost, Grech dhe Filoni.

Pietro Parolin

Pietro Parolin

I lindur në Schiavon, në zonën e Viçencës, ai është 70 vjeç dhe është Sekretar Shteti në Vatikan.

Ishte ai që punoi për marrëveshjen historike të nënshkruar në vitin 2018 me Kinën që u lejon peshkopëve kinezë të jenë në bashkësi të plotë me Papën.

Për të, “Azia është e ardhmja e Kishës”. Ditët e fundit ai ka qenë në qendër të insinuatave për shëndetin e tij, por lajmi për një sëmundje është mohuar kategorikisht nga Selia e Shenjtë.

Pierbattista Pizaballa

Pierbattista Pizzaballa

Ai i përket urdhrit françeskan dhe aktualisht është Patriarku Latin i Jeruzalemit, detyrë që e mban që nga viti 2020.

Ka lindur në Castel Liteggio (Bergamo) dhe është 60 vjeç. Studiues biblik, i konsideruar i urtë dhe rigoroz në punën e tij, por edhe ironik dhe me një udhëheqje të natyrshme të orientuar drejt kontaktit mes kulturave dhe feve të ndryshme. Karakteristikat e vendosin atë në mesin e kandidatëve të preferuar.

Luis Antonio Tagle

Luis Antonio Tagle

Filipinas nga Manila, 67 vjeç, nënë me origjinë kineze, ai është i dashur për karizmën e tij baritore dhe njohjen e botës aziatike.

Tagle mishëron konceptet e dashura të Papa Françeskut, të një Kishe si “urë” midis kulturave të ndryshme dhe afër të varfërve.

Një video e vjetër e tij duke kënduar “Imagine” u bë virale, duke tërhequr kritika pasi kënga konsiderohej kundër parimeve të krishtera.

Matteo Maria Zuppi

Matteo Maria Zuppi

I lindur në Romë, ai është 69 vjeç dhe është president i CEI-t. Si i ri, ai iu afrua Komunitetit të Sant’Egidio, deri në atë pikë sa u bë udhërrëfyes i saj shpirtëror.

Françesku e emëroi atë kryepeshkop të Bolonjës në vitin 2015. Ai është në përputhje me pontifikatin e Françeskut për çështjet që lidhen me varfërinë dhe emigrantët: kjo e vendos atë në mesin e të preferuarve të kampit “progresiv”.

Robert Francis Prevost

Robert Francis Prevost

Kardinali 69-vjeçar i lindur në Çikago është një figurë e shquar në Episkopatën Amerikane.

Anëtar i Urdhrit Augustinian, ai drejton Dikasterin e Peshkopëve dhe është president i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.

Ai ka një profil të aftë për të ndërmjetësuar mes shpirtrave të ndryshëm të Amerikës Katolike me vëmendje ndaj çështjeve sociale dhe kulturore.

Jean Marc Avelline

Jean-Marc Aveline

I lindur në Algjeri, ai është 67 vjeç, u rrit në Marsejë, ku u bë kryepeshkop metropolitan në vitin 2019 dhe në vitin 2022 u bë kardinal nga Françesku.

Një mbështetës i fortë i dialogut midis feve dhe i vëmendshëm ndaj çështjeve të emigracionit, ai ka një vizion baritor në frymën e Françeskut, rruga e të cilit për vëmendjen ndaj periferive mund të vazhdojë.

Mario Grech

Mario Grech

Kardinali maltez 68-vjeçar ishte shumë i afërt me Papa Françeskun dhe është peshkop Emeritus i Gozos.

Pas shugurimit të tij si meshtar, studioi në Romë. Fillimisht, i lidhur me Ratzinger-in për çështjen e homoseksualitetit, me kalimin e viteve ai u tërhoq nga pozicionet e tij, duke demonstruar një kapacitet të madh për ndryshim për çështje të ndjeshme.

Fernando Filoni

Fernando Filoni

I njohur si “Papa i Kuq”, ai është ekspert i diplomacisë kishtare. I lindur 79 vjet më parë në Manduria (Puglia), ai u bë nunci dhe prefekt i Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve në vitin 2011.

Detyrat e tij në zonat e krizës, si Iraku (ku mbeti gjatë bombardimeve) dëshmojnë përkushtimin e tij ndaj vlerave të paqes dhe dialogut.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë