Lajme

Galileo, “mollë sherri”! BE-Britani, divorc edhe në hapësirë

Termat e përgjithshëm të divorcit mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Eurpian janë vendosur tashmë, por detajet kërkojnë kohë dhe për këtë palët janë në bisedime të përhershme me njëra-tjetrën.

E mes morisë së çështjeve që shtrohen në tryezë, ndarja mes Londrës dhe Brukselit mund të ndodhë edhe në hapësirë. Bashkimit Europian ka lënë të hapur mundësinë që të ndalojë aksesin e Britanisë së Madhe tek sateliti 10 miliardë eurosh, Galileo, një projekt i përbashkët i vendeve anëtare i hedhur në orbitë për të shërbyer si sistem navigimi dhe komunikimi.

Komisioni Europian thotë se nuk mund të ndajë të dhëna të ndjeshme me një vend joanëtar të unionit dhe këtë status do të ketë Britania e Madhe në fund të bisedimeve për Brexit. Kjo do të thotë se Londrës do t’i ndalohet aksesi tek të dhëna e koduara, që kanë të bëjnë kryesisht me rrugët e komunikimeve qeveritare dhe detaje personale të qytetarëve europianë, që logohen përmes adresave të tyre të internetit në sistemin e përbashkët.

Ideja e Brukselit nuk është pritur mirë nga britanikët. Philip Hammond, ministri i Thesarit në qeverinë britanike e komentoi këtë pas një takimi me ministrat e Financave të BE-së në Bruksel.

“Na duhet aksesi në këtë sistem. Në planin fillestar ne kemi qenë një prej anëtarëve bërthamë të ngritjes së Galileos, duke kontribuar financiarisht, teknikisht dhe me burime njerëzore”, tha ai.

Por, nëse BE këmbëngul në ndalimin e aksesit, Hammond nuk përjashton mundësinë që Britania e Madhe të hedhë e vetme një satelit të tillë.

“Nëse është e pamundur që të kemi akses tek Galileo, atëherë do të hedhim vetë një të tillë, mundësisht në partneritet me vende të tjera jashtë Europës. Por, e përsëris, për arsye sigurie ne na duhet akses tek Galileo”, deklaroi ai.

Nëse nuk arrin që ta sigurojë këtë, Britania e Madhe shpreson që të gjejë partneritet me Australinë për të ngritur në orbitë një satelit rival me Galileon.

Kryeministrja britanike, Theresa May dhe Presidenti i KE-sëm Jean Claude Juncker

Nga ana tjetër, BE citon marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2011, kohë kur Britania e Madhe ishte anëtare e unionit dhe nuk mendohej Brexit. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha vendet anëtare të BE-së bien dakort që t’u bllokojnë aksesin vendeve joanëtare tek një tufë elementesh që cilësohen me ndjeshmëri për sigurinë e qytetarëve dhe vetë shteteve të unionit.

“Pas bisedimeve të kësaj jave është e qartë që Britania e Madhe synon të shndërrojë Galileon nga një pronë të përbashkët të BE-së në një pronë të përbashkët mes BE-së dhe Britanisë së Madhe. Kjo është një kërkesë e tepërt për BE-në. Kërkojnë të kenë akses të privilegjuar tek sistemi PRS, (sistemi i koduar që shfrytëzohet nga qeveritarë të lartë të BE-së për të komunikuar) dhe të jenë në gjendje që të ndryshojnë, apo modifikojnë sinjalet e transmetimeve pas Brexit. Kjo do të thotë që pasi Britania të mos jetë më vend anëtar të ketë mundësinë që edhe të fikë sinjalin për BE-në. Kërkojnë gjithashtu të kenë akses në disa module, që edhe aktualisht jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë”, deklaroi një zyrtar i BE-së në fund të bisedimeve të radhës për këtë çështje.

Komisioni pritet t’u raportojë vendeve anëtare për këtë temë dhe është thuajse e sigurtë se në raport do të theksohet se kërkesa aktuale e Londrës është e papranueshme për BE-në.

Të enjten, negociatorët e BE-së akuzuan britanikët për kërkesa në kufijtë e fantazisë dhe se nuk po kuptojnë dot ende se çfarë do të thotë Brexit dhe pasojat e tij. Në përpjekje për të zbutur kritikat, këshilltari kryesor i Theresa May për negociatat, Olly Robbins, që udhëhoqi bisedimet e kësaj jave, falenderoi grupin negociator britanik për punën e bërë.

“Krenar për punën e ekipit që punoi shumë fort në bisedimet teknike në Bruksel këtë javë dhe paraqitën me qetësi dhe mënyrë profesionale synimin për një bashkëpunim të thellë mes palëve”, shkroi ai në Twitter.

Postimi i rrallë i këshilltarit është qortuar nga laburisti, John McDonnel, ministër në hije i Thesarit.

“Në ditën që Zyra e Statistikave konfirmoi që rritja ekonomike e Britanisë së Madhe është më e dobta në gjashtë vitet e fundit, nuk është habi që qeveria të përqendrohet në çështjet e hapësirës. Njerëzit mund të inatosen me të drejtë se si ka mundësi që Philip Hammond mund të sigurojë miliarda paundë për një program hapësinor, por nuk gjen dot para për shërbimet publike jetësore, si ai për shëndetësinë, që tani ka më shumë nevojë se kurrë. Ka ardhur koha që ministri të zbresë me këmbë në tokë dhe të provojë se jeton në të njëjtin planet si të gjithë ne e të kuptojë se në ç’gjendje po i fut qytetarët”, reagoi ai.

Çështja e aksesit në satelitin Galileo është një ndër temat në dukje me ndasi të mëdha mes palëve, por jo e vetmja. Çështja e regjimit doganor dhe kufiri me Irlandën e Veriut janë dy pikat ku BE nuk toleron. Theresa May ka lënë të kuptohet ditët e fundit se Britania mund të qëndrojë për një periudhë disavjeçare pas shkëputjes në unionin doganor të BE-së, por kjo është rrëzuar automatikisht nga BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë