Art dhe Kulture

Gabriel Garsia Markez, jeta prej bohemi në Paris

Gabriel Markezi kishte menduar të kalonte kohë në Paris si korrespodent gazete. Por dyert e fatit nuk u hapën menjëherë për djaloshin që do të pushtonte më pas botën e letrave me librat që shkroi. Dagmar Ploetz gazetar e biograf i shkrimtarit e përshkruan kështu periudhën e tij në Paris.

“Me gjunjët afër kaloriferit, me fotografinë e të fejuarës së tij Mersedes të vendosur në mur, në një vend të dukshëm, Gabrieli shkruante çdo natë deri në të aguar. Edhe ai ashtu si heroi i vetë, nuk e dinte si do t’ia bënte për bukë të nesërmen, e gjithnjë priste letrën me para që nuk mbërrinte kurrë. Ishte i dobët, kishte fytyrën e një algjeriani, duke tërhequr gjithnjë vëmendjen e policëve, madje me pamjen e tij ngatërronte edhe vetë algjerianët. Tymoste tri paketa në ditë dhe përpiqej të gjente rrugën nëpër Paris, atë det gurësh dhe pluhuri pa e folur frëngjishten. Ishte koha e luftës së Algjerisë, e këngëve të parë të Brasenit dhe e të dashuruarve, që shkëmbenin puthje të dëshpëruara në metro”.

Markezi mblidhte shishe bosh që mund të blinte me vlerën e tyre një paketë cigare, ndërkohë që kocka për supë, që kasapi ia jepte si dhuratë cilitdo që blinte një biftek, u bë dhurata më e dashur mes shokëve latino-amerikanë. Tabloja që Markezi ruajti nga Parisi në mendjen e tij, vihet në dukje në një intervistë, ku ai e përshkruan si përvojën më të paharruar të tijën.

“Ishte një natë pambarim, nuk dija ku të flija, e kaloja kohën duke u vërdallosur nëpër stolat e parqeve, ngrohesha në avullin që dilte nga Galeritë e rrethuara të metrosë. Papritur në mëngjes nuk po ndjehej më kundërmimi i lakrës së zier. Sena kishte ndaluar së lëvizuri; mes brymës së bardhë të një mëngjesi të marte vjeshte, isha unë i vetmi organizëm i tillë mes atij qyteti të shkretë. Atëherë ndodhi kjo: ndërsa kaloja mbi San Mishel, dëgjova hapat e një burri, mora me mend mes mjegullës, xhaketën e tij të kafenjtë, duart në xhepa, flokët e sapokrehura; për një çast ndërsa kryqëzoheshim mbi urë, pash për një të dhjetën e sekondës fytyrën e tij të verdhë dhe kockëdalë. Po qante” .

Të njëjtën përvojë me vetminë ai e kishte pasur edhe në Bogota. Ashtu si atëherë ai humbiste në librat e tij.

Gabriel Garsia Markez

Pas kësaj përvoje prej bohemi, Markezi kthehet sërish në Paris pas ngjarjeve të revolucionit popullor në Hungari ku shkruan dhe reportazhin me titull, “90 ditë përtej perdes së hekurt”. Një artikull i tillë i paanshëm nuk ishte dhe aq i kuptueshëm në atë kohë të Luftës së Ftohtë dhe nuk ishte e lehtë të gjendej ndokush për ta botuar. Por Markez arriti ta botonte duke siguruar kështu një honorar që e përdori për të blerë një biletë për në Londër, pasi donte të mësonte anglisht. Ai u vendos në një hotel të vogël në Kesington dhe nisi të shkruante tregime, por do të largohej nga ky vend para se të mësonte anglishten e të njihej me Londrën. Fluturoi për në Karaibe. Ishte 30 vjeç dhe e vetmja gjë që donte ishte të jetonte përmes punës së tij krijuese.

Në Karakas iu fut publicistikës. Vendi ishte në gjendje të trazuar dhe pak javë pas mbërritjes së tij Markez u bë dëshmitar i rënies së diktatorit Peres Himenes, i cili kishte qeverisur Vezenuelën për më se dhjetë vjet. Bashkë më një mikun e tij ata arritën të ishin aktiv si gazetarë, duke i shpëtuar dhe arrestimit nga policia duke botuar lajme mbi situatën e trazuar politike. Gabrieli jo vetëm e pa veten përsëri brenda atdheut të tij, por shumë shpejt e braktisi edhe rolin e vrojtuesit nga larg, rol që e kishte luajtur në Europë dhe mori rolin e pjesëmarrësit aktiv. Ai do të pësonte zhgënjim kur mësoi se presidenti i SHBA-së Ricard Niksoni, në atë kohë vizitoi Venezuelën. Në rrugët e Karakasit mbizotëronte rrëmuja që përfundoi me largimin e Markezit nga gazeta. Atëherë ai bën një vizitë të shkurtër në Barankija dhe martohet me të fejuarën e tij, e cila e kishte pritur me aq durim, Mersedes Bracan, mbetet në rrugë të madhe dhe gjen një punë si redaktor përgjegjës në revistën me rubrika të larmishme “Venezuela Grafica”.

Për shumë kohë puna si redaktor për të do të ishte e mërzitshme për të mbajtur familjen, deri sa një ditë vendosi ti linte të gjitha e të ulej të shkruante.

Ja si e kujton ai, “Pa Mersedesin nuk do të kisha shkruar. Në atë fazë ku ishim ajo mori përsipër gjithçka. Para disa muajsh kisha blerë një makinë. E shita dhe ia dhashë asaj paratë. Kisha bërë me mend një llogari të shpejtë se ato do të na dilnin për gjashtë muaj të tjerë. Por kisha nevojë për një vit e gjysmë kohë që ta mbaroja librin. Nuk e di si ia doli që kasapi ti jepte veresie po kështu furrxhiu ti jepte bukë veresie dhe pronari i shtëpisë të mos na e kërkonte qiranë për nëntë muaj. Ajo kujdesej për gjithçka pa më shqetësuar mua”.

E duket se Markez e kishte parandjerë suksesin. Libri do të shitej për herë të parë 8000 kopje të cilat më pas u shumëfishuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë