Njerez

Gabimi që i mohoi Gentian Muçës Kombëtaren, i rrezikon kandidimin si deputet i PD

Nga Mendrit Shehu – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi emrat e 12 kandidatëve për deputetë për të verifikuar nëse ligji i dekriminalizimit i ndalon në zgjedhjet e 25 prillit.

Mes emrave që do të verifikohet nga njësia e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme është Gentian Muça, i cili kandidon për Partinë Demokratike në kryeqytet, duke shpresuar që me popullaritetin e tij të sigurojë votat e nevojshme për të qenë përfaqësues në parlamentin e ardhshëm.

KQZ thotë se këta emra janë referuar nga verifikimet e deritanishme në bazë të formularëve që kanë deklaruar, dhe se procesi i plotë i kalimit në sitë të tyre nuk ka përfunduar, duke mos përjashtuar se të tjerë emra mund t’i shtohen verifikimit të thelluar.

Historia e Gentian Muçës

Ish-mbrojtësi i Tiranës, i renditur i 26-ti në listë, i cili aktualisht aktivizohet te Prishtina në Kosovë, akuzohet se në vitin 2008 ka shkelur vizën studentore në Bonn të Gjermanisë. Ai kishte qenë atje me vizë studentore, por kishte përfunduar duke luajtur në disa ekipe futbolli.

Me kombëtaren në ndeshjen ndaj Kosovës

Në vitin 2010, Gentian Muça ishte një nga lojtarët më premtues dhe ishte një kandidat për të veshur fanellën e përfaqësueses shqiptare. Josip Kuže, duke parë aftësitë e mbrojtësit vendosi që të thërriste lojtarin duke e aktivizuar në turneun e Turqisë dhe ndaj Kosovës, por në prag të miqësores me Slloveninë u mësua se Muça nuk mund të udhëtonte dot në vendet e zonës Shengen, pasi kishte shkelur lejen e qëndrimit të tij në Gjermani. Në korrik të vitit 2011 është ndaluar në Budapest, pasi ka pasur një “ekspuls” nga shteti gjerman.

Kësisoj, Muçës iu shkatërruan shanset e tij që të vishte fanellën kuqezi, pavarësisht tentativave për të ndryshuar këtë masë. Edhe pas disa vitesh ky ‘’mallkim’’ vazhdon ta përndjekë lojtarin, kësaj here mund ti mohojë kandidimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë