Histori

Fytyrat e Luftës

Mes tmerreve të Luftës së Parë botërore, një trupë artistësh sollën shpresë për ushtarët e shfytyruar në llogore.

Caroline Alexander/ Smithsonian Magazine – Ushtarët e gjymtuar  me shaka e quanin “Dyqani i hundëve prej kallaji.”  I  vendosur brenda Spitalit të Tretë, të Përgjithshëm,  të Londrës,  emri i tij ishte “Departamenti i Maskave për gjymtimet në fytyrë”, e që përfaqësonte një nga shumë aktet e improvizimit të dëshpëruar që solli Lufta e Madhe, e cila  kishte tronditur të gjitha strategjitë konvencionale të përballjes me traumat e trupit, mendjes e shpirtit. Në çdo front – politik, ekonomik, teknologjik, social, shpirtëror – Lufta e Parë Botërore po e ndryshonte Europën përgjithnjë, ndërsa kërkonte jetët e 8 milionë burrave luftëtarë dhe plagoste e gjymtonte 21milionë të tjerë.

Armët e kalibrit të madh të artilerisë së luftës me fuqinë e tyre për të atomizuar trupa në copëza të parikuperueshme dhe sakatimi prej predhave vdekjeprurëse e kishin bërë të qartë, në nisje të luftës, se teknologjia ushtarake e njerëzimit e kishte tejkaluar mjekësinë: “Çdo frakturë e kësaj lufte është një plagë e madhe e hapur,” raportonte   një mjek amerikan, “me jo vetëm kocka të thyera, por të shpartalluara deri në fund j.” Natyra e vërtetë e luftës në llogore, për më tepër, rezultoi djallëzisht e favorshme për dëmtimet e fytyrës: “Ushtarët nuk arrinin të kuptonin kërcënimin e armëve automatike,”  kujton Dr. Fred Albee,  kirurg amerikan që ka punuar në Francë. “Dukeshin se mendonin se mund të nxirrnin kokat nga llogoret dhe të lëviznin aq shpejt sa të shmangnin breshërinë e plumbave.”

Ushtarë në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ndërsa shkruante më 1950 –ën, Sir Harold Gillies, pionier i artit të rindërtimit facial dhe kirurgjisë moderne plastike, ka sjellë ndërmend shërbimin në luftë. “Ndryshe nga studenti sot,që ankohet për prerjet e vogla si gërvishtje dhe diplomohet me buzët e shtrembëruara, ne na kërkuan befas të prodhonim gjysma fytyre.”  I  lindur në Zelandën e Re, Gillies ishte 32 vjeç dhe punonte si kirurg në Londër, në kohën kur nisi lufta, por u largua menjëherë për të shërbyer në ambulancat fushore në Belgjikë dhe në Francë. Në Paris, mundësia për të vëzhguar një  kirurg facial me famë, ndërsa punonte, së bashku me përvojën e fushës që kishte zbuluar taksën tronditëse fizike të kësaj lufte të re, çoi në këmbënguljen e tij për t’u specializuar në  rindërtimin facial. Kirurgjia plastike, e cila synon të rindërtojë njëherazi funksionet dhe t’u japë formë deformimeve, ishte, në nisje të luftës, e praktikuar vrazhdë, me fare pak vëmendje reale, dhënë estetikës. Gillies, duke punuar me artistët që krijuan ngjashmëritë dhe skulpturat,  sesi ata burra dukeshin përpara dëmtimeve, u orvatën të rikthenin, aq sa mundën, fytyrën e sakatuar të një njeriu.

Ladd në studion e saj, duke punuar maskën për një ushtar të gjymtuar

Kathleen Scott,  një skulptore e njohur dhe vejusha e Kapitenit  Robert Falcon Scott,  me famë në Antarktikë, doli vullnetare për ta ndihmuar Gillies-in, duke deklaruar me siguri karakteristike se “burrat pa hundë, janë shumë të bukur, si mermeri i lashtë.”

Ndërsa puna pioniere në transplantimin e  lëkurës ishte bërë në Gjermani dhe Bashkim Sovjetik, ishte Gillies që e përmirësoi dhe më pas prodhoi në masë teknikat thelbësore, shumë prej të cilave janë ende të rëndësishme në kirurgjinë moderne plastike. Në një ditë të vetme, në fillim të korrikut të 1916 –ës,  pas angazhimit të parë në Betejën e Somës –Gillies dhe kolegët e tij u dërguan te dymijë pacientë. Fotografitë klinikisht të sinqerta para dhe pas, botuar nga Gillies pas lufte,  në botimin shkencor “Kirurgjia Plastike e Fytyrës” zbuloi sesa mrekullisht – me raste edhe në mënyrë të paimagjinueshme – të suksesshëm kishin qenë ai dhe ekipi i tij; por galeria e fotove të fytyrave të sakatuara e të qepura, me mozaikët e guximshëm të pjesëve që mungonin, tregon gjithashtu kufizimet e kirurgëve.  Ishin pikërisht ata ushtarë – shumë të shfytyruar për t’u kualifikuar në dokumentimet para dhe pas – arsyeja pse u krijua Departamenti i Maskave për Gjymtimin Facial.

“Puna ime nis aty ku përfundon puna e kirurgut”, thoshte Francis Derwent Wood,  themeluesi i programit. I  lindur në Angli më 1871-shin, nga një baba amerikan dhe një nënë britanike, Wood e mori edukimin në Zvicër dhe Gjermani, si edhe në Angli. Pas kthimit të familjes në Angli, u trajnua në disa institute arti, duke kultivuar një talent për skulpturën që e kishte shfaqur në rini. Shumë i moshuar për detyrë aktive, pasi shpërtheu lufta, u listua, në moshën 44 – vjeçare, si ushtar i Trupave Mjekësore të Ushtrisë Mbretërore. Pasi u caktua si i brendshëm në Spitalin e tretë të Përgjithshëm të Londrës,  fillimisht u mor me detyra të vogla. Por më pas, megjithatë, ai mori përsipër detyrën për të sajuar allçi të sofistikuara për pacientët dhe kuptimi se aftësitë e tij si artist mund të ishin të dobishme nga ana mjekësore, e frymëzoi të ndërtonte maska për shfytyrimet e pariparueshme. Maskat e tij të reja prej metali, të lehta dhe më të qëndrueshme se protezat e gomës të prodhuara më parë, skicoheshin me porosi për të sjellë portretin paralufte,  të secilit që e mbante atë maskë. Brenda pavijoneve kirurgjike dhe konvaleshente, u pranua njëzëri se shfytyrimet ishin më traumatiket e një shumësie dëmesh të tmerrshme që kishte sjellë lufta. “Gjithnjë shihe njeriun drejt e në fytyrë! ”, i thoshte një murgeshë infermiereve të saj. “Kujto se ai po sheh fytyrën tënde për të parë sesi do reagosh.”

Wood e themeloi njësinë e tij të prodhimit të maskave në mars të vitit 1916 dhe nga qershori i vitit 1917, puna e tij kishte garantuar një artikull në Lancet, revistën mjekësore britanike. “Përpiqem me mjetet e dhuntisë që ka rastisur t’i kem si skulptor për të bërë fytyrën e një burri sa më afër që mundem me portretin që kishte para se të gjymtohej,” shkruante Wood. “Rastet e mia janë zakonisht ato më  ekstremet, që kirurgjia plastike ka qenë e detyruar t’i braktisë; por, si në kirurgjinë plastike, efekti psikologjik është i njëjti. Pacienti përfton respektin e dikurshëm për veten, sigurinë te vetja, besimin... bëhet edhe njëherë krenar për paraqitjen vetjake. Prania e tij nuk është më burim melankolie për veten as trishtim për të afërmit e miqtë.” 

Drejt fundit të vitit 1917, puna e Wood-it kishte tërhequr vëmendjen e një skulptoreje  amerikane nga Bostoni, përshkruar në mënyrë të pashmangshme në artikujt rreth saj si “socialite”. Lindur në  Bryn Mawr, Pensilvani, Anna Coleman Watts ishte edukuar në Paris dhe Romë, kur nisi studimet për skulpturë. Më 1905-ën, në moshën 26 –vjeçare, u martua me  Maynard Ladd,  një mjek nga Bostoni dhe ishte pikërisht aty ku e vijoi punën e saj. Subjektet e saj skulpturore ishin kryesisht burime dekorative – zambakë gëlues, ujëra lodrues – si edhe buste portretesh që, me shijet e sotme, dukeshin pa karakter dhe të shpëlarë: portrete të përgjithshme të fytyrave po aq të përgjithshme. Mundësia për ecurinë e punës me bërjen e  maskave për ushtarët e dëmtuar në Francë mund të mos i kishte ardhur Ladd-it, nëse nuk do të ishte për faktin se  i shoqi ishte caktuar të drejtonte Byronë e Fëmijëve,  të Kryqit të Kuq Amerikan,  në Toul dhe,  të shërbente si këshilltar mjekësor në zonat e rrezikshme të avancimit të Francë.

Në fund të 1917 –ës, pasi u konsultua me Wood-in, tani i ngritur në gradën e kapitenit, Ladd hapi studion për Maskat e Portreteve në Paris, administruar nga Kryqi i Kuq Amerikan. “Zonja Ladd është pak e vështirë për t’u menaxhuar,  siç ndodh në rastet e njerëzve me talent të madh,” thoshte me kujdes një koleg, por ajo duket se e drejtoi studion me efikasitet dhe entuziazëm. E vendosur në Lagjen Latine, përshkruhej nga vizitorët amerikanë si “një studio e madhe me dritë”, në  katet e larta, me një “oborr tërheqës mbushur me dredhka dhe populluar me statuja.” Ladd dhe katër asistentët e saj kishin bërë përpjekje ngulmuese për të krijuar një hapësirë mikpritëse dhe të gëzueshme për pacientët e saj; dhomat ishin të mbushura me lule, muret të veshur me “afishe dhe flamuj amerikanë e francezë” dhe,  radhë allçie me maskat në përpunim e sipër.

Rrugëtimi  që e çoi një ushtar nga fusha apo llogorja drejt departamentit të Wood-it, apo studios së Ladd-it, ishte i gjatë, i shkëputur  dhe mbushur me tmerre. Për disa nisi me një përplasje: “M’u dëgjua sikur dikush kish hedhur një shishe qelqi në një vaskë porcelani”, sillte ndërmend një ushtar amerikan ditën e qershorit të 1918 –ës, në të cilën një plumb gjerman u përplas në kafkën e tij në  Bois de Belleau. “ Një fuçi gëlqereje ra përmbys dhe u duk se gjithçka në botë u bë e bardhë.”

Skenë pas skene, nga balta e llogoreve apo fushëbeteja te stacioni i ndihmës së parë, te spitali fushor i tejmbushur; te evakuimi, qoftë në Paris, ose, nga një kalim i mundimshëm i Kanalit, drejt Anglisë, të gjymtuarit mbaheshin, lëkundeshin, përziheshin dhe liheshin të pa mbikëqyrur në korridoret e gjatë me rryma ajri përpara  se të pushonin nën kujdesin e kirurgëve.  Pashmangshëm vinin operacionet e shumëfishta. “U shtri me profil nga unë” shkruante  Enid Bagnold, një infermiere vullnetare ( dhe më pas autore e Kadifeja Kombëtare) për një pacient të gjymtuar rëndë.  “Vetëm se ai nuk ka profil, siç ka zakonisht njeriu. Si një majmun, ai ka vetëm ballin e dalë dhe buzët e shtrembëruara – hunda dhe syri i majtë janë zhdukur.”

Ata pacientë, që  mund të trajtoheshin suksesshëm ishin, pas një konvaleshence të gjatë, të lirë të vazhdonin jetën; ata me më pak fat qëndronin në spital dhe në njësitë konvaleshente duke kuruar fytyrat e shprishura, të cilat nuk ishin gati të përballeshin me botën – ose me të cilat bota nuk ishte gati të përballej. Në Sidcup, Angli, qyteti që ishte shtëpi e spitalit special facial të Gillies-it, disa stola në park u lyen me blu, një kod që lajmëronte banorët e qytetit se çdo njeri që ulej në një prej tyre do të shkaktonte pikëllim nëse vështrohej. Një takim  edhe më trishtues,  sidoqoftë, ishte shpesh mes burrit të shfytyruar dhe imazhit të tij. Pasqyrat ishin të ndaluara  në pjesën më të madhe të pavijoneve dhe burrat që në një farë mënyre kishin arritur t’i hidhnin një vështrim të ndaluar fytyrës kalonin në shok. “Efekti psikologjik te një burrë që duhet ta shkonte jetën si një objekt tmerri për veten dhe për të tjerët, ishte përtej çdo përshkrimi,”, shkruante Dr.Albee. “...Është përvojë krejt e zakontë për një njeri të katandisur keq që të ndihet si i huaj në botën e tij. Duhet të jetë  ferr të ndihesh i huaj për veten.”

Dhimbjet e marra si nga Wood dhe Ladd për të prodhuar maskat, që sillnin ngjashmërinë më të afërt që mundeshin me fytyrën e pagjymtuar paralufte të ushtarëve,  ishin të mëdha. Në studion e Ladd-it, e cila njihet për rezultate më të mira artistike, një maskë e vetme kërkonte një muaj vëmendje të imët. Kur pacienti shërohej si nga dëmtimi origjinal ashtu edhe operacioni riparues, merreshin masat e allçisë në fytyrë, një përvojë mbytëse,  nga e cila bëheshin modelt prej  balte apo plasteline. “Modeli, është një portret i pacientit, me zgavrat pa sy, faqet pjesërisht munguese, pa urën e hundës dhe gjithashtu me syrin e mirë dhe një pjesë të faqes së mirë,” shkruante  Ward Muir,  gazetar britanik që kishte punuar si i brendshëm me Wood-in. “Syri i mbyllur duhet hapur, që syri tjetër, syri që do të vihet, të mund të përputhet. Me goditje të shkathëta skulptori hap syrin. Masa, që deri atë kohë  shfaqte fytyrën në gjumë, dukej sikur zgjohej. Syri shihte drejt botës me zgjuarsi.”

https://www.youtube.com/watch?time_continue=12&v=bCSzrUnie2E

Ngjashmëria e plastelinës ishte baza e të gjithë portreteve të mëparshëm. Vetë maska mund të vishej me bakër të galvanizuar, rreth dy centimetra e trashë – ose siç mban mend një vizitore nga studioja e Ladd-it, “kishte trashësinë e një kartëvizite.”  Në varësi të faktit nëse mbulonte të gjithë fytyrën, apo siç ishte shpesh rasti, vetëm pjesën e sipërme apo gjysmën e poshtme të fytyrës, maska peshonte afro 100 deri në 250 gramë dhe zakonisht mbahej nga syze. Sfida më e madhe artistike qëndronte  në lyerjen e sipërfaqes metalike me ngjyrën e lëkurës. Pas eksperimenteve me bojëra vaji, që cifloseshin, Ladd nisi të përdorë një smalt të fortë, që lahej dhe,  kishte një lustër të zbehtë me ngjyrën e mishit. Ajo e lyente maskën ndërsa burri e mbante veshur, në mënyrë që të përshtatej sa më shumë të mundej me ngjyrën e tij të lëkurës. “Nuancat e lëkurës, që dukeshin të çelëta në ditët e zymta shfaqeshin të zbehta dhe gri në dritën e diellit dhe në një farë mënyre duhej gjetur një e mesme” , shkruante Grace Harper, Shefi i Byrosë për Riedukimin e të Gjymtuarve, siç quheshin ushtarët e shfytyruar francezë.

Artistja duhet të gjente tonalitetin si për mot të kthjellët ashtu edhe me re dhe duhet të imitonte përskuqjen e faqeve të rruara.” Hollësitë si vetullat, qerpikët dhe mustaqet bëheshin me flokë të vërtetë, ose si në rastin e studios së Wood-it, nga letrat e varakut, në metodën e statujave të lashta greke.

Sot, imazhet e vetme të këtyre burrave me maska vijnë nga fotografitë bardhezi, që me mungesën e falshme të  ngjyrës dhe lëvizjes, e bëjnë të pamundur gjykimin e efektit të vërtetë të një maske.  Statike, të vendosura për të gjithë kohërat në një shprehi të vetme, modeluar në atë që ishte shpesh një fotografi e vetme paralufte, maskat ishin njëherazi të gjalla dhe të pajeta: Gillies raporton sesi fëmijët e një veterani që mbante maskë ikën nga tmerri kur panë fytyrën pa shprehi të të atit. Maskat nuk ishin në gjendje të rikthenin funksionet e humbura të fytyrës, si aftësinë për t’u përtypur dhe gëlltitur. Zërat e burrave të shfytyruar të cilët mbajtën maska janë në pjesën më të madhe të njohur vetëm nga letërkëmbimi i varfër me Ladd-in, por siç ka kujtuar ajo vetë, “Letrat e mirënjohjes nga ushtarët dhe familjet e tyre lëndojnë, janë aq mirënjohëse...” “Faleminderit, do të kem një shtëpi”, i shkruante asaj një ushtar.” ...Gruaja që dashuroj nuk më sheh më si të neveritshëm, edhe pse ajo kishte të drejtë.”

Nga fundi i 1919 –ës, studioja e Ladd-it kishte prodhuar 185 maska; numri i prodhuar nga Wood nuk dihet, por ishte me gjasë më i madh, duke qenë se departamenti i tij ishte hapur prej një kohe më të gjatë dhe maskat e tij prodhoheshin më shpejt. Këto shifra të admirueshme zbehen vetëm kur vihen përballë 20 mijë dëmtimeve të fytyrës  gjatë luftës.

Nga viti 1920, studioja e Parisit kish nisur të dobësohej; Departamenti i Wood-it ishte shpërbërë më 1919 –ën. Pothuajse nuk mbijetoi asnjë e dhënë e burrave që kishin mbajtur maska, por edhe me punën prej një viti të Ladd-it,  ishte e qartë se maska kishte një jetë vetëm disavjeçare. “E kishte mbajtur maskën vazhdimisht dhe e mbante ende, pavarësisht faktit se ishte dëmtuar dhe dukej tmerrshëm,” shkruante Ladd-i për një prej pacientëve të saj të hershëm, të studios.

Në Francë,  Union des Blessés de la Face (Unioni i të Dëmtuarve në Fytyrë) mori  rezidenca për të akomoduar burrat e shfytyruar dhe familjet e tyre dhe,  në vitet e mëvonshme përthithën edhe të dëmtuarit nga luftërat vijuese. Fati i të dëmtuarve të ngjashëm nga Rusia dhe Gjermania është më i errët, megjithëse në Gjermaninë e pasluftës, artistët përdorën piktura dhe fotografi të  të gjymtuarve facialë me efekt shkatërrimtar në qëndrimet anti-luftë. Amerika pa  shumë më pak të dëmtuar rëndë: Ladd-i llogariste se kishin qenë “mes dy apo treqind burra në ushtrinë amerikane që kishin kërkuar maska” – një e dhjeta e shifrës së kërkuar në Francë. Në Angli, u hodhën për diskutim skema sentimentale për  përvetësimin e fshatrave piktoreskë, ku oficerët e gjymtuar, mund të jetonin në shtëpiza druri,  mbuluar nga trëndafilat, mes kopshteve frutore dhe fushave dhe të nxirrnin shpenzimet për jetesën nga shitja e frutave dhe endja e pëlhurave, si mënyrë rehabilitimi; por edhe këto plane të pavend, dolën të padobishëm dhe burrat thjesht u tërhoqën, larg vështrimit të njerëzve. Pak maska, për të mos thënë asnjë, mbijetuan. “Me siguri janë varrosur me të zotët,” sugjeron biografja e Wood-it, Sarah Crellin.

Trajtimi i dëmtimeve katastrofike gjatë Luftës së Parë Botërore, çoi në përparime të mëdha në shumë prej degëve të mjekësisë – përparime që mund të përdoreshin për avantazh, disa dekada më vonë, për të trajtuar dëmtimet katastrofike të Luftës së Dytë Botërore. Sot, pavarësisht përparimeve të qëndrueshme dhe spektakolare të teknikave mjekësore, edhe kirurgjia më moderne dhe më e sofistikuar e  rindërtimit nuk mundet ende t’i trajtojë si duhet të gjitha llojet e dëmtimeve, që i dënuan burrat e Luftës së Madhe të jetonin pas maskave.

Ushtatë të gjymtuar në studion e Ladd, në Krishtlindjen e vitit 1918. 

Anna Coleman Ladd  e la Parisin pas armëpushimit në fillim të 1919 –ës dhe iu ndje mungesa shumë: “Puna jote e shkëlqyer për të gjymtuarit francezë është tani në duart e një njeriu të vogël,  që ka shpirtin e një pleshti,” i shkruante asaj një koleg nga Parisi. Në Amerikë, Ladd-i u intervistua gjerësisht rreth punës së saj në luftë dhe në vitin 1932,  u shpall Kalorëse e Legjionit të Nderit, në Francë. Ajo vazhdoi të gdhende, duke prodhuar në bronz, me fare pak ndryshim nga  stili  i veprave të saj paralufte; memorialët e saj të luftës pashmangshëm portretizonin luftëtarë me nofulla graniti,  me tipare të përsosura – që dikush do të tundohej të thoshte si të maskave. Vdiq në moshën 60- vjeçare në Santa Barbara, në vitin 1939.

Francis Derwent Wood  vdiq në Londër më 1926-ën, në moshën 55-vjeçare. Puna  e tij paslufte përfshiu një sërë monumentesh publikë, si memorialët e luftës, ku më prekësi nga të gjithë është ndoshta ai i dedikuar Trupave të Armëve Automatike në  Hyde Park Corner, Londër.

Në një bazament të ngritur, portretizohet  Davidi i  ri, i zhveshur, i brishtë, por fitimtar, i cili thotë se fytyra e domosdoshme e luftës i jep fund gjithë luftërave – artiljeri automatik. Mbishkrimi i monumentit është me dy anë, duke aluduar si heroizmin individual të artiljerëve, ashtu dhe aftësinë e mbinatyrshme të armës së tij: “ Sauli ka vrarë me mijëra, por Davidi me dhjetëra mijëra.”

*Përktheu:Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë